Elaine Thompson-Herah vazhdon të dominojë në garën e 100 metrave

29 gusht 2021 | 16:47

Elaine Thompson–Herah vazhdon të dominojë garën e 100 metrave dhe sprinterja e famshme xhamajkane la shenjën e saj edhe në kryeqytetin francez. Pas tre medaljeve të arta në Lojërat e 32 Olimpike, në 100, 200 dhe garën e stafetës 4×100 metra 29-vjecarja nga Karaibet vijon të bëjë përpara plot besim, duke mposhtur sërish që të gjitha rivalet që I dalin përpara. Në garën e 12 sezonale, të edicionit të 12 të Diamond League-s në Paris Thompson e ndali kronometrin në kohën 10”72, duke thyer rekordin e mitingut të përvitshëm francez. Në këtë mënyrë Elaine Thompson–Herah ia del për të triumfuar në kompeticionin e sivjetshëm të Diamond League-s si në Eugene në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në kryeqytetin e Francës Paris.

Në Oregon 29-vjecarja xhamajkane fiksoi kohën 10”54, duke përmirësuar rekordin e saj personal. Koha 10”54 përfaqëson gjithashtu edhe kohën e dytë më të shpejtë të të gjitha kohërave, pas sprinteres së famshme amerikane Florence Griffith Joyner, që është edhe mbajtësja e rekordit botëror të garës së 100 metrave për femra, rekord i vendosur më 16 korrikun e vitit të largët 1988 në Indianapolis, me kohën e paimagjinueshme 10”49. Elaine Thompson–Herah po përmirësohet gjithmonë e më shumë në këtë disiplinë, madje pasi ia ka dalë mbanë për të demoralizuar dhe mundur me radhë pothuajse në cdo rast gjithë kundërshtaret e saj sprinterja e mirënjohur xhamajkane po bën cmos për të thyer një ndër rekordet më të vjetër të “mbretëreshës së sporteve”.

Në Olimpiadën e Tokios Elaine Thompson mbrojti me fanatizëm edhe sukseset e mëparshme në Rio de Janeiro, duke u shndërruar në sprinteren e parë që ia del mbanë për të fituar medaljet e arta në dy olimpiada rresht, në disiplinat e 100 dhe 200 metrave. Bashkëkombësja e saj Shericka Jackson u pozicionua në vendin e dytë, ndërsa e treta në Mitingun e Parisit u rendit atletja britanike Dina Asher–Smith. Të enjten në mbrëmje në fakt Thompson prodhoi kohën 10”64, por u mund për thjesht 0,04” nga atletja tjetër xhamajkane Shelly-Ann–Fraser-Pryce, që theu rekordin e mitingut të Lozanës, duke përmirësuar njëherësh edhe rekordin e saj personal.

Koha 10”60 e vendosur në Zvicër nga Shelly-Ann Fraser-Pryce përfaqëson kohën e tretë më të shpejtë të kësaj disipline, gjithsesi për hir të së vërtetës 34-vjecarja nga Kingstoni që është edhe kampionia në fuqi e botës preferoi të mos marrë pjesë në Francë, për shkak të lodhjes. Elaine Thompson – Herah e cila në Tokio theu rekordin olimpik 33-vjecar të legjendares amerikane Florence Griffith Joyner në fund të garës deklaroi se ndihet tepër në formë dhe është shumë e kënaqur me arritjet e saj të vitit 2021, madje 29-vjecarja shtoi se kurrë nuk ka qenë më e shpejtë përgjatë karrierës së saj të lavdishme. /SS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan foli për mediat vendase kur…