Elena Halilaj përfaqëson Kosovën në Maltë

23 prill 15:45

14-vjeçarja Elena Halilaj, nxënëse e klasës së tretë në Shkollën e Muzikës “Amadeus”, drejtimi Violinë dhe Solokëndim, do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Festivalin Ndërkombëtar të Këndimit “Euro Stars”, i cili do të mbahet në Maltë nga 25 deri më 30 prill të këtij viti.

Halilaj do të marrë pjesë në mesin e 17 shteteve dhe 120 pjesëmarrësve në këtë festival të karakterit garues. Festivali “Euro Stars” është mundësi e mirë për këngëtarët e rinj si dhe një privilegj i rrallë për pjesëtarët e industrisë muzikore.

Sipas njoftimit zyrtar, misioni i këtij festivali është përkrahja e talenteve të rinj premtues të cilët dëshirojnë të trajnohen dhe të mësojnë.

Elena Halilaj ka pranuar ftesë nga organizatori dhe drejtori i festivalit, Martin DeGabriele, i cili e kishte parë atë duke përfaqësuar Kosovën vitin e kaluar në Ohër, në festivalin ndërkombëtar “Tra la la”.

Elena Halilaj ndjek mësimin edhe në klasën e tetë në Shkollën Fillore “Don Bosko” në Prishtinë.

Elena ka marrë pjesë në Prishtina “Kids Fest 2016”, ku ka zënë vendin e tretë. Po ashtu, ajo ka përfaqësuar Republikën e Kosovës edhe në Festivalin Ndërkombëtar në Oher “Tra la la” në vitin 2017.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Mua më shumë më pëlqen të lexoj sesa të shkruaj”,…