Elon Berisha emërohet trajner i Feronikelit ’74
Trajneri Elon Berisha do ta udhëheqë FC Feronikelin ’74 në sezonin 2026/27 të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra e rikthyer në elitën e futbollit të Kosovës ka zyrtarizuar emërimin e Berishës në krye të shtabit teknik, duke nënshkruar me të një kontratë dyvjeçare.
Te Feronikeli ’74 besojnë se nën drejtimin e trajnerit Berisha do të arrijnë të bëjnë paraqitje dinjitoze dhe të ndërtojnë një ekip konkurrues në Superligë. “Klubi ka arritur marrëveshje me trajnerin Berisha për një kontratë dyvjeçare, duke dëshmuar besimin në vizionin e përbashkët dhe projektin tonë afatgjatë. Me ambicie të qarta dhe një plan të mirëfilltë për të ardhmen, besojmë se ky është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e një ekipi konkurrues dhe të qëndrueshëm, që do t’i sjellë suksese FC Feronikelit ’74”, është thënë në njoftimin e klubit.
Berisha në postin e trajnerit zëvendëson Granit Begollin, i cili ka udhëhequr ekipin drejt vendit të dytë në Ligën e Parë dhe rikthimit në Superligën e Kosovës.
Për Berishën, Feronikeli ’74 do të jetë klubi i tretë që do ta drejtojë në elitën e futbollit të Kosovës. Gjatë sezonit të kaluar ai ishte në krye të Prishtinës së Re dhe Malishevës.



