Ende nuk dihet nëse aktakuza ndaj Thaçit, është konfirmuar apo hedhur poshtë

23 tetor 2020 | 15:38

Dhomat e Specializuara në Hagë nuk e kanë njoftuar ende publikun nëse aktakuza kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është konfirmuar apo hedhur poshtë.

Të shtunën, më 24 tetor, skadon afati prej gjashtë muajsh për gjykatësin e procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë, për të konfirmuar ose refuzuar aktakuzën, plotësisht ose pjesërisht.

Megjithatë, sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të këtyre Dhomave, një gjyqtar, në rrethana të jashtëzakonshme – nëse një prokuror i specializuar paraqet arsye të vlefshme përpara se të konfirmohet aktakuza – mund të lëshojë urdhër të përkohshëm për moszbulimin e aktakuzës para publikut, “për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, ose për të parandaluar ndonjë ndërhyrje tjetër në procedurë, ose trazirat shoqërore”.

“Në çdo rast, aktakuza do t’i zbulohet publikut, me ndryshime të mundshme nëse është e nevojshme, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit përpara gjykatës”, thuhet në rregullin 88 të kësaj Rregulloreje.

Gjithashtu, zëdhënësja e Dhomave, Angela Griep, ka thënë në një deklaratë për “Radion Evropa e Lirë” se Rregullorja e Procedurës dhe Provave nuk parasheh detyrim për të publikuar vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake, për hedhjen poshtë të të gjitha ose disa prej akuzave në aktakuzë.

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave “të tjerë”, emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane ka kërkuar nga…