Erdogan provokon grekët: Shpëtuat duke u hedhur në det

12 mars 2018 | 22:03

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan thumboi grekët duke iu kujtuar atyre se arritën të shpëtonin nga forcat turke në betejën e Sakariasë më 1921, duke u hedhur në det.

Duke iu kundërpërgjigjur homologut Pavlopulos, kreu i shtetit turk nënvizoi se Ankaraja nuk ka synime territoriale.

“Ata që duan të rifreskojnë kujtesën e tyre, le të shkojnë t’i hedhin një sy historisë së tyre të kohëve të fundit. Ata që hedhin fjalë më të mëdha sesa përmasat e trupit të tyre, para se të lexojnë përralla, le të lexojnë një libër të vërtetë historie. Le të mësojnë shumë mirë sesi shpëtuan pa u bërë peshk i kriposur në Sakarya dhe si i braktisën këto vende duke u hedhur në det. E thashë dhe e them përsëri: Nuk kemi asnjë synim për territoret dhe sovranitetin e askujt”, tha Recep Tayyip Erdogan.

Një javë më parë, në Selanik, presidenti Pavlopoulos nënvizoi se Traktati i Lozanës nuk lë asnjë boshllëk që mundëson ndryshimin e kufijve si dhe saktësoi se nuk ka zona të diskutueshme në Egje.

Ndërkohë, situata mes dy vendeve është përshkallëzuar ndjeshëm duke marrë në konsideratë edhe deklaratën e ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos, i cili dha alarmin se dy vendet janë në prag të një lufte.

Për këtë, Greqia ka vendosur të rrisë numrin e ushtarëve që patrullojnë në kufi me Turqinë.

Në shtimin e tensioneve ka ndikuar edhe arrestimi i dy ushtarëve grekë, për të cilët Athina pretendon se kaluan kufirin në mënyrë të pavullnetshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Prishtinë ka goxha telashe me ajrin e ndotur. Shkaktarët…