Erdogani thotë se Turqia do ta ratifikojë anëtarësimin e Finlandës në NATO

17 mars 2023 | 16:07

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka njoftuar të premten se vendi i tij do ta fillojë procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Finlandës në NATO.

Duke folur pranë homologut finlandez, Sauli Niinisto, Erdogani ka thënë se Finlanda i ka adresuar kërkesat e Turqisë në fushën e Sigurisë, të cilat Ankaraja i kishte paraqitur për t’iu plotësuar në këmbim të përkrahjes së anëtarësimit në aleancë.

Finlanda dhe Suedia kanë hequr dorë nga politika historike e paanësisë ushtarake dhe aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Ankaraja ka thënë se përderisa Finlanda i ka përmbushur premtimet, Suedia ende duhet të bëjë progres.

Presidenti turk ka thënë se bisedimet e vendit të tij me Suedinë do të vazhdojnë.

Finlanda ka kufi prej më shumë se 1.300 kilometrash me Rusinë. Më parë, Helsinki ka thënë se nuk do të anëtarësohej në NATO pa Stokholmin, por njoftimi i së premtes i Turqisë tregon për ndryshimin e pozicionit të Finlandës.

Pas ratifikimit nga Turqia, Hungaria do të mbetet shteti i vetëm i NATO-s që ende nuk e ka miratuar anëtarësimin e Finlandës në aleancë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues për “Euro…