Erërat e forta shkaktojnë dëme në komunën e Deçanit

16 dhjetor 21:53

Në mesnatën mes të premtes dhe të shtunës, si pasojë e erërave të forta që ka përfshirë komunën e Deçanit, është rrënuar minarja e Xhamisë së Vjetër në këtë komunë, e cila ka statusin e monumentit të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, ka pasur dëme edhe nëpër shtëpi.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Ardiana Qorraj ka postuar disa fotografi në llogarinë e saj në “Facebook”, ku shihet dëmi në minaren e Xhamisë së Vjetër në këtë komunë, që është shkaktuar nga erërat e forta.

Postimi i plotë i saj:

Mbrëmë rreth orës 1:00 pas mesnate, siç është raportuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në Komunën e Deçanit, si pasojë e erërave të forta që ka përfshirë këtë komunë është rrënuar minarja e Xhamisë së Vjetër të Deçanit, e cila ka statusin e monumentit të trashëgimisë kulturore.

Më të marrë informacionin për rastin në fjalë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), si dhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Pejë, sot (dt. 16.12.2017) kanë dalë në vendngjarje dhe rrethinë për të parë për së afërmi gjendjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore në këtë komunë.

Nga vizitat e përgjithshme, konstatojmë se fatkeqësisht për shkak të erërave të forta është rrënuar Minarja e Xhamisë së Deçanit, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz, por me dëme të konsiderueshme materiale, duke rrënuar kështu edhe një pjesë të murit rrethues të kësaj xhamie. Ndërsa gjendja e përgjithshme e monumenteve tjera në këtë komunë është e mirë dhe pa dëme materiale.

IKMM-ja e posedon në arkivin e vet gjithë dokumentacionin relevant për xhaminë e lartpërmendur dhe duke u bazuar në projektin arkitektonik të restaurimit (me theks të veçantë minares), në pjesën e parë të vitit 2018 do të procedojmë me rikonsturimin e minares duke u bazuar në dokumentacionin e mjaftueshëm që posedojmë.

Ndërsa aktualisht në fillim të javës çatia e kësaj xhamie do ti nënshtrohet një intervenimi emergjent, për të evituar dëmtimet e mëtejme që mund të vijnë si pasojë e reshjeve atmosferike. Rregullimi i çatisë (me sipërfaqe rreth 4 metra katrorë) do të jetë intervenim emergjent dhe i përkohshëm, ku do të mbulojë pjesën ku ka qenë minarja dhe përreth saj.

Fotografia e Ardiana Qorraj

Fotografia e Ardiana Qorraj

Fotografia e Ardiana Qorraj

Fotografia e Ardiana Qorraj

Fotografia e Ardiana Qorraj

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afërdita Dervishi (Kumtesë në përvjetorin e 19 të rënies së…