Escobar: Kosova ka pasur të drejtë në reciprocitet, por u befasuam me mënyrën 

30 shtator 2021 | 16:48

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, ka deklaruar se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Gjatë një konference për media në Bruksel, ai ka vlerësuar se Kosova ka pasur të drejtë të vendosë reciprocitetin, por Uashingtoni u befasua me mënyrë e zbatimit të këtij vendimi.

“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja është vendi i duhur për të gjetur zgjidhjen dhe falënderoj të dërguarin e Posaçëm të BE-së, (Mirosllav) Lajçak dhe ekipin e tij për punën e madhe që kanë bërë”, ka deklaruar Escobar.

Sipas tij, SHBA-ja dhe BE-ja mund të ndihmojnë përparimin e Ballkanit Perëndimor. “Mësimi është që në partneritet me BE-në mund të bëjmë një përparim në ndihmën e Ballkanit që të integrohet më shumë me BE-në pas një periudhe të vështirë në të cilën kaloi rajoni”, ka deklaruar ai.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe se varet nga vullneti politik i palëve.

Kur u pyet se a kanë qenë të informuar nga pala kosovare se do ta vendosin masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, zyrtari amerikan  se Kosova ka pasur të drejtë ta bëjë këtë. “Kosova ka të drejtë në reciprocitet dhe kjo ka qenë e ditur. Por, u zumë shumë në befasi me mënyrën e zbatimit. Por, këtë e prisnim që të ndodhë në një moment. Jemi të lumtur që siguruam uljen e tensioneve”, ka deklaruar ai, duke shtuar se duhet gjetur zgjidhje afatgjate për çështjen e targave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Superkupa e Femrave do të zhvillohet më 4-5 Tetor në…