Është koha të negociohet për taksën

07 prill 2019 | 12:50

Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, ka deklaruar se taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë ka qenë e drejtë dhe vazhdon të jetë e tillë deri në një pikë të caktuar.

Ai ka bërë me dije se kjo taksë e ka arritur efektin e saj duke e fuqizuar pozitën e Kosovës në raport me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka thënë se tani është koha që taksa të negociohet. “Mendoj se taksa e ka arritur efektin duke e fuqizuar pozitën e Kosovës në raport me Serbinë, mirëpo nuk mund ta trajtojmë taksën si qëllim në vetvete. Mendoj se tash është koha që taksa të negociohet dhe, po ashtu, të ndahet nga procesi i negociatave, në mënyrë që ky proces të vazhdojë dhe Kosova të arrijë një marrëveshje të qëndrueshme përmes së cilës merr njohjen nga Serbia dhe i hapet rruga drejt mekanizmave ndërkombëtarë”, ka thënë Krasniqi.

Deputeti i PSD-së ka deklaruar se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin për ta arritur marrëveshjen historike me Serbinë.

“Mendoj se Kosova duhet ta kapë këtë çast të volitshëm gjeopolitik dhe të nxjerrë nga procesi i negociatave një marrëveshje sa më të mirë për të. Nuk është mirë të humbim kohë në një situatë kur edhe faktorët ndërkombëtarë janë të interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka kritikuar qeverinë dhe dy subjektet më të mëdha opozitare, LDK-në dhe LV-në. Sipas tij, qeveria nuk ka plan për zhvillim ekonomik dhe ulje të papunësisë, ndërsa LDK-ja dhe LV-ja po e luftojnë ekzekutivin pa ndonjë sukses.

“Nepotizmi është i papranueshëm në shoqërinë tonë. Kjo qeveri le që nuk e ka ndaluar praktikën nepotiste të qeverive të pasluftës, por e ka ushtruar edhe vetë këtë praktikë. Madje një problem shumë i madh është pikërisht tentimi për ta normalizuar këtë fenomen, duke folur publikisht për të si diçka krejt normale”, ka thënë Krasniqi.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, presidenti Thaçi tashmë ka funksionalizuar KQZ-në, duke emëruar disa anëtarë. PSD-ja ka kundërshtuar mënyrën e përfaqësimit të partive politike në këtë institucion. Pse?
Krasniqi: PSD-ja do ta dërgojë në kushtetuese vendimin e presidentit të Kosovës ngaqë e konsiderojmë të padrejtë dhe të pabazuar në Kushtetutë. Janë gjashtë grupet e para parlamentare që kanë të drejtë të dërgojnë nga një përfaqësues në Kuvendin e Kosovës. Së paku kështu e kemi ligjin dhe Kushtetutën. Sidoqoftë, nëse Gjykata Kushtetuese vendos pro vendimit të presidentit, ne do të pajtohemi me atë vendim, ani pse e konsiderojmë se nuk është i drejtë. Çështja nuk është fare te fakti se a do të ketë PSD-ja përfaqësues në KQZ ose jo. Çështja është te parimi që sa më shumë subjekte që përfaqësohen në KQZ, aq më demokratik do të ishte ky institucion. Politika e tentimit për të kontrolluar vetë këtë komision nga sa më pak subjekte është joparimore dhe vetjake. Është politikë e njëjtë me atë të PDK-së që dikur donte t’ia pamundësonte VV-së pjesëmarrjen në KQZ ngaqë e donte KQZ-në nën kontrollin e saj. Sot njësoj, VV-ja (si PDK-ja dikur) po tenton të ketë sa më shumë përfaqësues në KQZ në mënyrë që ta kontrollojë sa më shumë KQZ-në, në kurriz të partive të tjera, të cilat po synon që për arsye vetjake t’i lë pa përfaqësim.

“Epoka e re”: Dy subjektet e tjera opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për dialogun, i cili është propozuar nga PSD-ja. Pretendimet e tyre janë se ky ligj është antikushtetues?
Krasniqi: Shumë mirë që e kanë bërë këtë. Dhe e inkurajojmë Gjykatën Kushtetuese që ta trajtojë sa më shpejt dhe sa më paanshëm këtë ligj. Më në fund do ta kemi interpretimin kushtetues se a është ligji në përputhje ose jo me Kushtetutën, dhe kjo do t’i mbyllë debatet mbi kushtetueshmërinë e ligjit. Mirëpo, do të ishte shumë korrekte që nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim që ligji është në përputhje me Kushtetutën, VV-ja dhe LDK-ja të kërkojnë falje publike për propagandën që e kanë bërë këtë kohë. Ne do të kërkojmë falje publike nëse ky ligj del në s’përputhje me Kushtetutën. Por, jemi të sigurt se nuk ka asnjë element të vetëm antikushtetues.

“Epoka e re”: LDK-ja dhe LV-ja nuk po ndalen së kritikuari PSD-në, duke e quajtur edhe patericë të pushtetit. Pse mendoni se këto akuza po vijnë pikërisht prej opozitës?
Krasniqi: Ngaqë PSD-ja po e qet në pah joefektshmërinë e strategjisë së LV-së dhe LDK-së. Ata kanë tentuar ta rrëzojnë qeverinë dhe ndalin dialogun tash e një vit gati. Dhe strategjia e tyre ka rezultuar me zero sukses. Asnjëherë për fajin e PSD-së. PSD-ja është subjekti i parë dhe i vetëm që i ka dhënë nënshkrimet për nisjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë. Pse LV-ja ose LDK-ja nuk po kanë guxim ta nisin atë mocion? Ne jemi aty për të votuar për rrëzimin e qeverisë, por guximin nuk kemi si t’ua shtojmë LV-së dhe LDK-së. Ndërkohë që nuk po i kemi numrat për rrëzimin e qeverisë, PSD-ja nuk e ka ndërmend të qëndrojë anash duke vajtuar. Ne e kemi ndërmend që në vazhdimësi ta shfrytëzojmë fuqinë tonë për të shtyrë përpara çështje të rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për punën e koalicionit qeverisës?
Krasniqi: Aspak nuk jemi të kënaqur me punën e koalicionit qeverisës. Nuk ka zhvillim ekonomik. Nuk ka plan për zvogëlimin e papunësisë. Nuk ka ndalje të nepotizmit dhe punësimit partiak. Nuk ka rritje të mirëqenies për qytetarët. Dhe këto janë vetëm disa prej arsyeve pse ne nuk jemi të kënaqur me punën e qeverisë aktuale dhe pse mendojmë që kjo qeveri duhet të shkojë. Mirëpo derisa nuk mundemi ta rrëzojmë, ne nuk do të qëndrojmë anash në vajtim, por do të angazhohemi të çojmë përpara nisma dhe projekte në të mirë të qytetarëve.

“Epoka e re”: Së fundi është aktualizuar shumë nepotizmi i partive në pushtet. Madje ky fenomen negativ po arsyetohet në mënyra të ndryshme nga këto subjekte. Si e ka parë PSD-ja këtë fenomen?
Krasniqi: Nepotizmi është i papranueshëm në shoqërinë tonë. Kjo qeveri le që nuk e ka ndaluar praktikën nepotiste të qeverive të pasluftës, por e ka ushtruar edhe vetë këtë praktikë. Madje një problem shumë i madh është pikërisht tentimi për ta normalizuar këtë fenomen, duke folur publikisht për të si diçka krejt normale. Keqpërdorimi i ndërmarrjeve publike duhet të ndalet urgjentisht dhe, po aq urgjentisht, duhet të krijojmë një plan shtetëror për zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve publike.

“Epoka e re”: PSD-ja koalicionit qeverisës ia ka dhënë votat për procesin e dialogut me Serbinë, i cili proces është ndalur për shkak të taksës ndaj produkteve serbe. Si duhet të veprojë qeveria për ta zhbllokuar këtë proces?
Krasniqi: Unë mendoj se taksa ka qenë vendim i drejtë dhe i duhur në kohën kur është marrë dhe i tillë ka vazhduar të jetë deri në një pikë të caktuar. Mendoj se taksa e ka arritur efektin e saj duke e fuqizuar pozitën e Kosovës në raport me Serbinë. Mirëpo nuk mund ta trajtojmë taksën si qëllim në vetvete. Mendoj se tash është momenti që taksa të negociohet dhe të ndahet nga procesi i negociatave, në mënyrë që ky proces të vazhdojë dhe Kosova të arrijë një marrëveshje të qëndrueshme përmes së cilës merr njohjen nga Serbia dhe i hapet rruga drejt mekanizmave ndërkombëtarë.

“Epoka e re”: Si mundësi për të dalë nga kjo situatë janë përmendur zgjedhjet e parakohshme, si dhe qeverisja gjithëpërfshirëse. Cila do të ishte alternativa më e mirë?
Krasniqi: Mendoj se Kosova duhet ta kapë këtë moment të volitshëm gjeopolitik dhe të nxjerrë nga procesi i negociatave një marrëveshje sa më të mirë për të. Nuk është mirë të humbim kohë, në një situatë kur edhe faktorët ndërkombëtarë janë të interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, PSD-ja është e përgatitur për cilëndo situatë. Nëse ka situatë dhe mundësi për zgjedhje, ne do të jemi të përgatitur maksimalisht për to.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth orës 04:00 të mëngjesit është grabitur bankomati i TEB-it…