‘Është vonë diçka të ndreq’ del nga shtypi

08 qershor 09:54

Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, libri me poezi Është vonë diçka të ndreq i autorit Adem Gashi. Sipas botuesit të këtij libri, Berat Armagedoni, as në poezinë e as në prozën e Adem Gashit nuk ka asgjë të vjetër, të rimarrë nga librat e mëparshëm siç zakonisht kohën e fundit po bëjnë shumë krijues shqiptarë vetëm sa për t’i shtuar bibliografisë së vet një titull libri të ri me përmbajtje të vjetër. Ndërsa poeti dhe studiuesi Emin Z. Emini ka treguar se e veçanta e këtij vëllimi poetik nuk ndodhet në konfigurimin ndjesor të situatave shpirtërore, as në reprodukimin e kategorisë së të veçantës së artit dhe jetës, por në një veçanti tjetër estetike: në artin e të menduarit bukur.

Më poshtë vlerësimi i botuesit Armagedoni dhe i studiuesit Emin Z. Emini për librin Është vonë diçka të ndreq.

 

Ky është libri i njëzetë e gjashtë i autorit (i tetëmbëdhjeti me poezi). Pse po zë ngoje këtë statistikë të librave të Adem Gashit? Sepse as në poezinë e as në prozën e tij nuk ka asgjë të vjetër, të rimarrë nga librat e mëparshëmsiç zakonisht kohën e fundit po bëjnë shumë krijues shqiptarë vetëm sa për t’i shtuar bibliografisë së vet një titull libri të ri me përmbajtje të vjetër. Megjithatë, është e vërtetë, Adem Gashi tashmë është bërë pak më i vjetër, ka kaluar moshën e pensionimit, por letërsisë shqipe vazhdon t’i sjellë tema të reja në poezi. Ai nuk imiton askënd, por as nuk përsëritpunën e vet të shkrimtarisë bërë që rreth pesë dekada me fisnikëri. Mos t’ju shkojë mendja se i tillë u bë prej që unë fillova t’i botoj librat e tij. I tillë ishte shumë kohë më përpara. Prandaj, kjo shëmbëlltyrë e shkrimit, me temat dhe motivet që ka gërmuar në libra poetikë, të cilat i ka zgjedhur dhe mbledhur në luftë dhe në paqe, pastaj me stilin e me farat e figurave që ka shtrirë në letra, do të mbetet kohë të gjatë mes diskutimeve tona, mbase edhe një shekull pasi ta përfundojë ciklin e jetës!

Armagedoni

 

Veçantia e objektit artistik Është vonë diçka të ndreq qëndron në sistemin dinamik të shenjave aksiologjike të cilat janë shtresëzuar qoftë në formulimin gjuhësor, duke krijuar katalogun e semantikës poetike, qoftë në kreacionin e ndërtimit të figurave përbrenda strukturave komplekse dhe unike të artit si realitet organik e estetik. Megjithëkëtë, e veçanta e këtij vëllimi poetik nuk ndodhet në konfigurimin ndjesor të situatave shpirtërore, as në reprodukimin e kategorisë së të veçantës së artit dhe jetës, por në një veçanti tjetër estetike: në artin e të menduarit bukur.

 

Dr. Emin Z. Emini, profesor universitar

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Dr. Emin Z. Emini, profesor universitar   Në organikën…