EULEX-i ta përfundojë mandatin, Kosova ka kapacitete për çdo sfidë juridike

12 maj 14:24

Avokati Tomë Gashi ka thënë të premten se ngrehja e aktakuzave të para të Gjykatës Speciale është në duart e kryeprokurorit Jack Smith.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se askush saktë përveç kryeprokurorit Jack Smith nuk e di se kur do të ngrihen aktakuzat e para.

Megjithatë, sipas Gashit, kryeprokurori Smith ka përvojë juridike në këtë punë dhe nuk i nevojitet aspak kohë shtesë për t’u familjarizuar me lëndë ngaqë ai nuk do të kryejë hetime të reja, por do t’i vazhdojë të njëjtat lëndë aty ku kanë arritur prokurorët e rasteve në Hagë.

Ai ka bërë me dije se nuk ka aplikuar fare për akreditim në Hagë në Gjykatën Speciale, sepse nuk dëshiron të punojë si avokat i caktuar zyrtarisht nga gjykata, por dëshiron t’i mbrojë ata që përzgjedhin ekipin tij.

Gashi ka treguar se ekipi i tij është i interesuar t’ua ofrojë shërbimet më të mira vetëm atyre që kanë mundësi financiare t’i paguajnë ato.

Avokati Gashi ka folur edhe për punën e EULEX-it, duke thënë se ky mision nuk ka arritur të vendosë sundim të ligjit në veri të Kosovës.

Në këtë kontekst, ai ka theksuar se EULEX-i nuk ka kryer kurrfarë roli pozitiv, por e ka lënë Kosovën në gjysmë të rrugës, duke qenë mashë e klasës politike.

Gashi ka deklaruar se EULEX-i duhet ta përfundojë mandatin më 14 qershor.

Sipas tij, 14 qershori duhet të jetë ditë e shënuar në të cilën duhet festuar për largimin e EULEX-it.

Avokati Gashi ka vlerësuar se shteti i Kosovës, pavarësisht prej mangësive, ka kapacitete të ballafaqohet me çdo sfidë juridike që i paraqitet.

“Epoka e re”: Z. Gashi, gjatë kësaj jave është emëruar kryeprokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës, e njohur në opinionin tonë si Gjykata Speciale. Jack Smith, pas emërimit, ka bërë me dije se është i gatshëm t’i çojë përpara hetimet. Kur prisni ta nisë punën kjo gjykatë dhe kur do të ngrihen aktakuzat?

Gashi: Emërimi i kryeprokurorit amerikan Jack Smith nuk është i rastësishëm pasi që të gjithë kryeprokurorët që veprojnë në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë kanë qenë amerikanë. Kjo është bërë e qëllimshme që ish-pjesëtarët e UÇK-së të cilët do të akuzohen në Gjykatën Speciale të mos kenë mundësi t’i kritikojnë prokurorët amerikanë për njëanshmëri. Askush saktë përveç kryeprokurorit Jack Smith nuk e di se kur do të ngrihen akuzat e para nga zyra e prokurorit special në Hagë. Gjykata Speciale nuk mund të jetë aktive pa aktakuza dhe kjo e gjitha është në duar të prokurorit Jack Smith.

“Epoka e re”: Ka gjasa që aktakuzat e para të ngrihen në verë ashtu siç është përfolur apo kryeprokurorit të ri do t’i duhet kohë për lëndët?

Gashi: Kryeprokurori Jack Smith ka përvojë juridike në këtë punë dhe nuk i nevojitet aspak kohë shtesë për t’u familjarizuar me lëndët ngaqë ai nuk do të kryejë hetime të reja, por do t’i vazhdojë të njëjtat lëndë aty ku kanë arritur prokurorët e rasteve në Hagë. Është e vërtetë se Jack Smith është kryeprokuror, por lëndët janë hetuar në vazhdimësi që nga viti 2014 e deri më sot.

“Epoka e re”: Ju personalisht do të jeni i angazhuar në Gjykatën Speciale?

Gashi: Unë nuk kam aplikuar fare për akreditim në Hagë në Gjykatën Speciale sepse nuk dua të punoj si avokat i caktuar zyrtarisht nga gjykata, por dua t’i mbroj ata që përzgjedhin ekipin tim së bashku me dy avokatë amerikanë, Gregor Gay Smith dhe Calin Rohan. Ne jemi të interesuar t’ua ofrojmë shërbimet tona më të mira vetëm atyre që kanë mundësi financiare t’i paguajnë ato, sepse kemi qenë të angazhuar në shumë raste në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë për ish-Jugosllavinë dhe në gjykata të tjera ndërkombëtare dhe nuk jemi të interesuar të qëndrojmë në Hagë pa klientë kredibilë.

“Epoka e re”: Z. Gashi, a mendoni se edhe pas 14 qershorit, kur do t’i përfundojë mandati EULEX-it, Kosova do të ketë nevojë për këtë mision qoftë në këtë format qoftë në një tjetër?

Gashi: EULEX-i është dashur ta kryejë punën për sundimin e ligjit sidomos në veriun e Kosovës, por kjo nuk ka ndodhur. Ky mision nuk ka kryer kurrfarë roli pozitiv, por na ka lënë në gjysmë të rrugës duke qenë mashë e politikës së Kosovës. Prandaj, EULEX-i duhet ta përfundojë mandatin më 14 qershor. Unë besoj se më 14 qershor duhet të festojmë për largimin e EULEX-it dhe kjo ditë duhet të jetë e shënuar.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh përvojën tuaj në këtë fushë, besoni se drejtësia e Kosovës ka kapacitete t’i kryejë punët pas largimit të EULEX-it?

Gashi: Ne si shtet i Kosovës kemi kapacitete të merremi me çdo sfidë juridike që na paraqitet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës,Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria do të…