Faktorët gjeopolitikë dhe gjeostrategjikë në Ballkan

14 shtator 2018 | 13:43

Garip Sahiti

Ballkani (ose Gadishulli i Ballkanit) është një rajon gjeopolitik dhe kulturor i Evropës Juglindore. Rajoni ka një zonë të përbashkët prej 550.000 km² dhe një popullsi prej rreth 55 milionë banorësh. Në Ballkan nuk ka asnjë shtet që do të paraqiste ambicie dhe njëkohësisht t’i posedojë kushtet faktike për t’u realizuar si faktor i rëndësishëm strategjik, qoftë në atë hapësirë, qoftë më gjerë. Njohës të rrethanave ndërkombëtare si protagonistë realë shihnin Kroacinë dhe Serbinë, por këto mbetën vetëm deklarata ambicioze. Sikur të mos e shprehte ambicien e saj serbomadhe, që ka çuar në luftëra në Ballkan, në humbje dhe thyerje të saj, Serbia do të mund ta luante një rol të rëndësishëm në rajon.

Pozicioni i saj qendror, madhësia, pozita, roli i dikurshëm i Beogradit si qendër ndërkombëtare, lidhjet e vjetra tradicionale me Moskën, Parisin, Londrën, pastaj me serbët në Kroaci, në Kosovë dhe në Bosnjë, pra të gjitha këto krahas një politike të jashtme të kaluar dhe të tanishme do të mundësonin të bëhej një faktor i rëndësishëm në Bosnjë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Kosovë, pra në një hapësirë mjaft të gjerë ballkanike.
Serbia e ka humbur këtë mundësi me politikën e jashtme që nuk e ka marrë parasysh realitetin e mjedisit ndërkombëtarë.

Bullgaria dhe Rumania nuk kanë kushte dhe nuk tregojnë ambicie për rol më të madh në rajon. Anëtarësimi i tyre në BE dhe në NATO i ka ndërthurur në interesat politike dhe ekonomike të bashkimit. Ambicia e tyre e parë është zhvillohen në mjedisin evropian, pra t’i shfrytëzojnë mundësitë që u ofron BE-ja. Bullgaria, përndryshe provon në mënyrën e saj tradicionale të ketë rol të rëndësishëm në Maqedoni. Greqia në vitet e para pas rënies së Murit të Berlinit ka treguar ambicie më të mëdha në rajon, në veçanti në Maqedoni dhe në Shqipëri, por edhe në Bullgari e në Serbi. Mirëpo, tani ajo është ekonomikisht tepër e dobët dhe me marrëdhënie të koklavitura me

Maqedoninë, e edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, e në veçanti me Turqinë. Ajo nuk ka kushte të bëhet faktorë strategjik në rajon. Turqia të cilën mund ta konsiderojmë si shtet ballkanik, i ka disa dispozita që do t’i mundësonin rol të rëndësishëm, para së gjithash në ato shtete të rajonit me popullatë të shumtë myslimane. Rëndësi strategjike në rajon, Turqisë i jep madhësia e saj, numri i popullsisë, ekonomia me rritje të shpejtë, fuqia ushtarake, pozita e urës ndërmjet Azisë dhe Evropës dhe pranë Detit të Zi, që po bëhet gjithnjë më e rëndësishme jo vetëm për lundrim por edhe për edhe për furnizim të ardhshëm energjetik të Evropës. Turqia që ka paraqitur interesat e veta në Ballkan në vitet e shkatërrimit të Jugosllavisë, në veçanti atje ku është popullsia e shumtë myslimane, si në Bosnje, Kosovë, por edhe në Maqedoni, Shqipëri e Bullgari.

BeH, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova nuk janë të afta të luajnë rol më të rëndësishëm në rajon. Ato ballafaqohen me problemet e zhvillimit të vet dhe të mbijetesës, si dhe me antagonizma të shumta të politikës së brendshme, me çështjen e kombësive dhe pakicave fetare, me ekonomi të pazhvilluar, me siguri të dobët juridike, me korrupsion, etj.
Në hapësirën e Evropës Juglindore nuk ka shtet që do të mund ta quanim si faktor strategjik apo si shtet fuqi me përjashtim të, ndoshta, Turqisë. Mirëpo, në këtë rajon me interesa dhe ambicie të veta dhe me politikën e jashtme ndërhyjnë qoftë fuqitë e mëdha, “lojtarët gjeostrategjikë”, por edhe shtetet nga fqinjësia. Në mesin e shteteve nga fqinjësia në rend të parë duhet përmendur Italinë.

Italisë në aspektin gjeostrategjik i ka konvenuar fuqimisht shkatërrimi i Jugosllavisë. Me politikën e vet aktive në hapësirën në lindje të detit Adriatik, në Ballkan, Italia tenton të shfrytëzojë fuqinë e vet ekonomike dhe të vërtetohet edhe si aktor politik ndërkombëtar i rendit të parë. Politika e jashtme e Italisë për këtë arsye është dhe do të jetë e rëndësishme në veçanti për faktin se lojtarët tjerë gjeostrategjikë po i kushtojnë Ballkanit kujdes gjithnjë e më të vogël.

Edhe për Austrinë ka qenë interes i madh shkatërrimi i Jugosllavisë. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe pas shkatërrimit të Jugosllavisë, Austria e ka shfrytëzuar mjaft mirë pozitën e vet politike dhe ekonomike si dhe lidhshmërinë tradicionale me Evropën Qendrore dhe Juglindore. Ajo ka pasur sukses të shtrihet në një numër të madh të shteteve të këtij rajoni si njëri ndër partnerët dhe investuesit më të rëndësishëm ekonomik, në veçanti ndaj shteteve me fuqi të dobët ekonomike e politike.

Treshja e madhe brenda BE-së, Gjermania, Franca dhe Anglia kanë interesa ekonomike në këtë hapësirë. Pozita e këtij rajoni të Evropës është e rëndësishme për furnizimin me energji, për rregullimin e naftë përçuesve dhe gaz përçuesve, ndaj mund ta rris interesimin e tyre për Ballkanin. Gjermania është tërhequr nga kjo hapësirë pas vitit 1992 dhe e ka drejtuar kujdesin e vet drejt Evropës Lindore. Në hapësirën e Ballkanit e lidhin disa lidhje tradicionale me Serbinë, Kroacinë dhe Slloveninë.

SHBA-të në Evropën Juglindore, gjegjësisht në Ballkan, nuk kanë interesa të mëdha, pasi që kanë pasur sukses në zgjerimin e NATO-s si dhe t’i inkuadrojnë në të edhe Kroacinë dhe Shqipërinë. Interesat më stabile ekonomike, politike të sigurisë të SHBA-ve janë orientuar para së gjithash në Lindjen e Afërme, në Azinë Qendrore dhe së fundi edhe në Afrikë. Rëndësia e Ballkanit për SHBA-në para së gjithash paraqitet aty që destabilizimi në këtë hapësirë mos të kërkojë angazhim amerikan apo ndërhyrje të NATO-s, apo që të mos çojë në mospajtim dhe në ndërlikime të marrëdhënieve me Rusinë. Angazhimi amerikan për rregullimin e shpejtë të statusit të Kosovës dhe pranimi i pavarësisë së saj duhet kuptuar si tentativë për ta parandaluar që çështja kosovare të mos eskalojë përsëri në konflikt, që do të kërkonte edhe angazhim amerikan.

Për dallim nga Amerika, Rusia pas vitit 1992 është shmangur përkohësisht nga Ballkani, por pas vitit 2005 jemi dëshmitarë të kthimit intensiv të Rusisë në Ballkan, veçanërisht në ato hapësira që nuk janë në NATO dhe BE. Para së gjithash në Serbi e në Mal të Zi. Rusia nuk e fsheh se Ballkani është fushë ku i ka interesat e veta të rëndësishme dhe ku dëshiron sërish të zhvillohet si fuqi e madhe, si partner i barabartë me perëndimin.
Në hapësirën e Evropës Juglindore, gjegjësisht në hapësirën e Ballkanit, nuk ka shtet që do të kishte mundësi dhe ambicie të realizueshme për t’u paraqitur si faktor udhëheqës në rajon, apo që do të kishte rëndësi të madhe për interesat strategjike të fuqive të mëdha. Ballkani me ndarjen e tij karakteristike, i ngarkuar me probleme dhe kundërthënie dhe me prapambeturi, është pjesë e Evropës, pa kurrfarë perspektive. E ardhmja e Ballkanit është në BE dhe në NATO.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë në ditë…