
‘Falja e 100 eurove për tatim’, kryetari i Ferizajt flet për procesin
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka deklaruar të enjten se janë në pritje të opinionit ligjor nga Ministria e Financave për faljen ose jo të 100 eurove të tatimit, pas vlerësimeve të reja tatimore.
Aliu ka thënë se e kanë parë të arsyeshme që vendimi për ekzekutim për çmimet e reja të tatimit të shtyhet për vitin 2024.
“Pas sqarimit ligjor do të ketë edhe mendime të kuvendeve komunale, sepse është kërkesë e të gjitha kuvendeve komunale që të ketë një vendim të tillë mbështetës për të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës në vlerë prej 100 euro. Por, sigurisht se do të presim opinionin ligjor, duke pasur parasysh se jemi në debatin e koeficienteve të pagave, të gjendjes së rëndë ekonomike, sigurisht se e kemi paraparë të arsyeshme që të shtyhet ky vendim për ekzekutim të këtyre faturave deri në vitin 2024. Por, sidoqoftë do të sqarohet ligjërisht dhe pastaj do të jenë vendimet, ose i komunës ose i qeverisë që pastaj të falet apo të zbutet fatura e tatimit në pronë”, ka thënë Aliu, raporton “Ksp”.
Çështja e vlerësimit të ri të tatimit ka ngritur reagime të shumta. Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se rritja e çmimit të tatimit në pronë është paraparë me ligj.