Familja e Hysen Tërpezës e zhgënjyer nga pushteti komunal në Viti

30 prill 2018 | 17:30

Ka marrë shumë mirënjohje sa ishte gjallë por edhe pas vdekjes.

Mirëpo, një e re që u shtua në mesin e tyre për 10 vjetorin e Pavarësisë, nuk gjeti vend këtu dhe u largua.

Një dekoratë e kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti, dhënë familjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Hysen Tërpezës, është kthyer në zyrën e tij.

I biri i Hysen Tërpezës, Sahit Hyseni, thotë se nuk mund ta mbajë në Odën e familjes një mirënjohje që vjen prej një udhëheqësi që sipas tij e ka zhgënjyer këtë familje. 73- vjeçari, është shprehur i revoltuar me Komunën për shkak se djali i tij, Adem Hyseni, nuk u pranua si roje pylli në konkursin publik për këtë pozitë.

Ai po e akuzon të parin e Komunës, Sokol Halitin, se ka ushtruar ndikim, që djali i tij të refuzohet pa pasur konsideratë se i takon një familjeje atdhetare.

E Adem Hyseni, që kandidoi për roje pylli në konkursin e rishpallur në muajin prill thotë se nuk u pranua ndonëse beson se i plotësoi kriteret.

Ky i fundit ankohet se i është bërë e padrejtë, dhe pretendon se Komuna i ka kurdisur kriteret e konkursit për ta favorizuar dhe pranuar në punë një militant partiak.

I kontaktuar nga Televizioni, Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural i Komunës së Vitisë, Veton Ademi, ka thënë se Drejtoria që udhëheqë ai vetëm ka bërë kërkesë për një roje pylli dhe nuk është marrë me përzgjedhjen e kandidatit.

Televizioni ka siguruar njoftimin publik të Komunës, ku bëhet e ditur se në konkursin për roje pylli, pas intervistimit nga ana e Komisionit Intervistues më 13 prill, kandidati i cili më së shumti u vlerësua nga ana e komisionit me shkrim dhe me gojë është Mahir Agushi, nga fshati Smirë.

Në njoftim thuhet se palët e pakënaqura mundë të paraqesin ankesë Komisionit për ankesa dhe parashtresa në Viti.

Mirëpo, Ademi nuk po beson se duke u ankuar tek organet tjera do të gjejë zgjidhje, pasi nuk ka shpresë tek ato, por vetëm kërkon që opinioni të kuptoj rastin e tij. Përveç Adem Hysenit nga fshati Tërpezë, edhe kandidatët tjerë që kanë aplikuar në konkursin për punësim në sektorin e Pylltarisë, janë ankuar për padrejtësi dhe kërkojnë nga Komuna t’u shpjegojë pse nuk janë pranuar në punë.

Të refuzuarit pretendojnë se konkursi ka qenë vetëm sa për sy e faqe. (radiopozherani)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka…