“Fast and Furious X”, i paarsyeshëm nga fillimi e deri në fund

23 maj 2023 | 08:27

Nga: Nicholas Barber /  BBC

Në filmin e fundit Fast and Furious, dy nga personazhet fluturuan me një makinë në hapësirë dhe e orbituan Tokën, gjë që thjesht vërtetoi se sa larg ka shkuar seria që rrënjët i ka në filmat e buxhetit të ultë për garat në rrugë. E megjithatë, pjesa e fundit, me regji nga Louis Leterrier, e bën filmin paraardhës të duket si model i përmbajtjes, me nuancat dhe besueshmërinë e një dokumentari. Fast X – filmi i dhjetë në serinë e dhënë pas makinave, pa llogaritur pjesën Hobbs & Shaw – është jashtëzakonisht i zhurmshëm, i furishëm dhe absurd – që nga fillimi e deri në fund. Gjithçka në lidhje me të është e tepruar, saqë mund të nisni të irritoheni se sa i marrë dhe i tepruar është. Pas kësaj, mund ta shihni veten duke e admiruar vendosmërinë e filmit për të qenë edhe më i marrë dhe më i tepruar seç ishte pak më parë. Dhe, më pas, më në fund mund të buzëqeshni dhe të qeshni me mënyrën se si marrëzia dhe e tepruara shkojë në lartësi të reja që të lënë pa frymë. Me pak fjalë, është një film që e kam urryer me tërë qenien sime, por edhe goxha më ka pëlqyer.

Nëse asgjë tjetër, ky rast i veçantë i Fast and Furious është padyshim një nga më të shpejtët dhe më të furishmit nga të gjithë. Dialogu përmblidhet në disa fraza tërheqëse dhe shaka të lehta; nuk ka pauza në veprim, përveç rasteve kur disa gra të reja vërtiten me seksi-pantallona. E, megjithatë, në njëfarë mënyre Leterrier e mban rrëfimin që të jetë i rrjedhshëm dhe i qartë.

Fillon, siç ndodhë me shumë prej pjesëve të Fast and Furious, me Dominic Toretton (Vin Diesel) duke u sorollatur në shtëpinë e vet modeste në Los Anxhelos, me gruan e tij Letty (Michelle Rodriguez), motrën e tij Mia (Jordana Brewster) dhe grupin gjithnjë në rritje të miqve dhe të afërmve që i quan “familje” – të paktën dy herë në një skenë. Familjes kësaj here i bashkohen djali i tij Little B (Leo Abelo Perry) dhe gjyshja e Domit (Rita Moreno), e cila shfaqet pa ndonjë arsye të qartë, përveçse producentët e ekskluzivitetit duan të gjejnë punë për aktorët fitues të çmimit Oscar: Helen Mirren, Brie Larson dhe Charlize Theron gjithashtu paraqiten, por jo me ndonjë rëndësi.

Kur të gjithë i cakërrojnë shishet e nevojshme të birrës, gjyshja e Domit e mban një fjalim se si trashëgimia e tij nuk do të vdesë kurrë dhe kështu, para se të mund të thuash “fati tundues”, nis telashi. Rezulton se disa Fast and Furiouses të mëparshëm, Domi dhe banda vodhën një grumbull parash nga një baron droge në Rio de Zhaneiro – vodhën edhe kasafortën – dhe baroni i drogës u vra pastaj gjatë ndjekjes së makinës. Tashti, djali i tij Dante (Jason Momoa) kërkon hakmarrje. Motoja e tij është “Kurrë mos e prano vdekjen kur ka borxh për vuajtjen”, por kjo në të vërtetë nuk e llogarit shkallën dhe kompleksitetin e planeve të tij marramendëse. Këto kërkojnë burime të pafundme dhe aftësi kompjuterike, gjë që ngre pyetjen se si djali i varfëruar e jetim i një tregtari droge, u bë kryqëzim midis Lex Luthorit dhe Jokerit, por ndoshta është më mirë të mos shqetësoheni për gjërat e tilla.

Sidoqoftë, Dante dëshiron që ekipi i Domit të cilësohet terrorist dhe të ndiqet nga vetë agjencia qeveritare (e njohur si “Agjencia”) për të cilën ata kanë punuar në të kaluarën, kështu që rrotullon një bombë metalike gjigante nëpër rrugët e Romës. Dhe, kjo është një nga sekuencat më delikate. Së shpejti, ekipi ndahet në grupe më të vogla. Ata nisen drejt destinacioneve anembanë botës, duke mos hasur asnjëherë në bllokime trafiku apo lëvizje të vonuara gjatë rrugës; përkundrazi hasin në shpërthime të panumërta, yje të panumërta të aktorëve mysafirë, dhe magazina të panumërta plot me makina, armatime dhe superkompjuterë ultramodernë. Ata gjithashtu kanë shumë grindje.

Përveçse është ekstrem në pothuajse çdo aspekt tjetër, Fast X është një nga filmat më të dhunshëm që kam parë ndonjëherë. Dy personazhe presin për të shkarkuar disa informacione? Përleshen. Dy personazhe dalin nga burgu, por kanë katër minuta kohë para se të dalin rojet? Përleshen. Një personazh qëllon te tjetri për të kërkuar ndihmë? Mund ta merrni me mend se çfarë ndodh. Leterrier është regjisor që nuk mund të shohë një dritare pa imagjinuar dikë duke u hedhur përmes saj dhe, tani që e përmenda, e ka të njëjtin problem me muret dhe me dyshemetë.

Në këto përleshje zakonisht vriten të këqijtë – edhe nëse nuk janë vërtet të këqij: trupat e Agjencisë thjesht përpiqen t’i kapin njerëzit që ata besojnë se janë terroristë, por kjo nuk e ndalon Domin dhe ekipin e vet t’i vrasin me dhjetëra nga ta. (Përsëri, është mirë të mos e lodhësh shumë kokën për këtë.) Ndërkohë, heronjtë nuk pësojnë asgjë më të keqe sesa një gërvishtje, që është e meta themelore e filmit. Domi dhe ekipi janë të gjithë të pathyeshëm, shumë kompetentë dhe imunë ndaj ligjeve të fizikës. Ata mund t’i ngasin  makinat nga një urë ose nga një aeroplan, të bien me shpejtësi nga gjysmë milje, dhe si ata ashtu edhe automjetet janë krejt në rregull pastaj. Sado zbavitëse të jetë kjo, do të thotë se nuk e ka asnjë tension.

Për arsye të ngjashme, këto marifete janë kurrë aq emocionuese sa duhet të jenë. Duhet të supozoni se aty ishte përfshirë ndonjë vozitje e mirë, por e gjitha është e fshehur nga CGI-ja dhe montazhi dhe kamera e furishme. Teksa filmat e Bondit tregojnë se njerëzit e vërtetë i kryejnë marifetet, dhe filmat Misioni të e pamundur tregojnë sesi  Tom Cruise i kryen ato, Fast X ju lë të pasigurt nëse ato marifete vërtetë janë bërë. Asgjë nuk duket e vërtetë, kështu që asgjë nuk duket se ka rëndësi. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Shpendi Topollaj Ma do mendja se Uilliam Shekspiri (William…