Fatmir Limaj viziton nënën e Hashim Thaçit: Nana Hyrë simbol i qëndresës dhe krenarisë shqiptare
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar nënën e ish-presidentit Hashim Thaçi, me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Përmes një postimi publik, Limaj ka thënë se vizita në familjen Thaçi ishte një takim me qëndresën, krenarinë dhe atdhedashurinë.
“Në këtë ditë të shenjtë të Bajramit, vizita te nana Hyrë dhe familja e mikut tim, Presidentit Hashim Thaçi, ishte vizitë te qëndresa, krenaria dhe atdhedashuria.
Në sytë e një nëne që pret djalin e saj nga Haga, shihet malli, por mbi të gjitha krenaria për rrugën dhe sakrificën e tij për Kosovën. Nana Hyrë qëndron e fortë, ashtu siç kanë qëndruar gjithmonë nanat shqiptare, me zemër të madhe dhe besim të palëkundur.
Lusim Zotin që festat e ardhshme t’i presim bashkë me bashkëluftëtarët tanë që padrejtësisht gjenden në Hagë”, ka shkruar Limaj në njoftimin e tij.



