Faton Hasani: PDK-ja duhet ta rikthejë Nismën e Fatmir Limajt në gjirin e saj
Faton Hasani, i cili ka paralajmëruar kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, ka bërë thirrje për rikthimin e Nismës Socialdemokrate në gjirin e PDK-së.
Hasani vlerëson se bashkimi i këtyre strukturave politike duhet të bëhet mbi bazën e respektit të ndërsjellë, vlerësimit të kontributit dhe përfshirjes së të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e historisë politike të PDK-së.
Përmes një mesazhi publik, ai ka theksuar se kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, duhet të ketë një rol të veçantë dhe vendin që i takon në strukturat drejtuese të PDK-së.
“PDK-ja duhet ta rikthejë Nismën në gjirin e saj!
Bashkimi i madh duhet të fillojë me respekt, dinjitet dhe vlerësim të kontributit të secilit. Anëtarësia dhe strukturat e Nismës duhet të trajtohen si pjesë e një familjeje politike që ka ndarë histori, sakrifica dhe angazhim për Kosovën.
Në këtë proces, Fatmir Limaj duhet të ketë një rol të veçantë dhe vendin që i takon në strukturat drejtuese të PDK-së.
Fatmir Limaj nuk është thjesht një emër në historinë e PDK-së. Ai është njëri nga themeluesit e saj, një nga figurat që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin dhe konsolidimin e saj politik. Roli i tij në luftën çlirimtare, në jetën politike dhe në proceset shtetndërtuese të Kosovës përbën një pjesë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Kontributi, përvoja, autoriteti politik dhe vlerat e tij kombëtare e intelektuale nuk mund të mohohen dhe as të anashkalohen. Përkundrazi, ato duhet të jenë pjesë e fuqisë së përbashkët politike.
Fatmir Limaj duhet të jetë një nga figurat qendrore të këtij bashkimi, sepse bashkimi i vërtetë nuk bëhet duke lënë njerëzit mënjanë, por duke ua njohur meritat dhe duke u dhënë hapësirën që u takon.
Është koha të tejkalohen ndarjet, të rikthehet besimi dhe të bashkohen të gjithë ata që kanë kontribuar për PDK-në dhe Kosovën.
Le të fillojë bashkimi i madh! Me respekt për historinë, vlerësim për kontributin dhe vizion për të ardhmen!”



