Faton Peci del i painformuar: Tha se gjimnazi është pa drejtor, por lajmërohet drejtori që mori mandatin vitin e kaluar dhe ka mandat deri më 2028
Drejtori i Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, Luan Mehmeti, ka reaguar pas deklaratës së kandidatit për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, i cili në një emision politik tha se kjo shkollë e mesme është pa drejtor.
Mehmeti ka theksuar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi ai është emëruar drejtor më 08 mars 2024, në një konkurs të rregullt, duke fituar mandatin katërvjeçar që përfundon më 07 mars 2028.
“Gjatë këtyre viteve kam fituar respektin e nxënësve, mësimdhënësve dhe komunitetit, ndërsa puna ime është vlerësuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Për më tepër, gjatë këtyre 30 viteve kam bashkëpunuar dhe jam njohur nga të gjitha personalitetet dhe intelektualët e Mitrovicës”, ka theksuar Mehmeti.
Ai ka pyetur se nga e mori z. Peci këtë informacion të pavërtetë, duke kërkuar që kandidati për kryetar të kërkojë falje publike.
Sipas tij, “e pavërteta nuk mund të zëvendësojë të vërtetën, ndërsa integriteti, profesionalizmi dhe puna e palodhur e një jete në arsim do të mbeten gjithmonë në vendin e tyre”.



