Faton Topalli dorëhiqet nga të gjitha pozitat në Vetëvendosje

08 janar 2018 | 16:56

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat brenda kësaj partie.

Topalli, i cili ishte edhe kandidat i LV-së për komunën e Ferizajt, përmes një letre është shprehur që po heq dorë nga të gjitha pozitat e tij në parti për të treguar që nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për pushtet.

Ai gjithashtu ka bërë me dije se kishte dhënë një propozim që Albin Kurti, Visar Ymeri e Dardan Molliqaj të mos kandidoheshin për pozitat kyçe në Vetëvendosje, derisa situata te stabilizohet.

Kjo është dorëheqja e radhës që vjen nga anëtarët e Vetëvendosjes, pas zhvillimeve të fundit në këtë parti.

Më poshtë është letra e Topallit

Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje

Pas dorëheqjes së Dardan Molliqajt, Sekretar Organizativ, anëtarëve të Kryesisë Albulena Haxhiu, Donika Kadaj Bujupi, Dardan Sejdiu, Aida Dërgutit, Zgjim Hysenit dhe disa deputetëve dhe Kryetarit të deritashëm të Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të mos e pranoj se jam i shqetësuar për zhvillimet në Lëvizje.

Para më shumë se një viti e gjysmë u takuam në Shëngjin për të diskutuar për dy dit me radhë për politikat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pata shumë shpresë se do të fillonte një dialog i brendshëm, por ky takim doli gati krejtësisht i pafrytshëm. Ajo që ndodhi më pas ishte vazhdimi i të njëjtës praktikë.

Gjatë zgjedhjeve nacionale kam kuptuar se më kishin etiketuar si pjesë e grupit të Dardan Molliqajt edhe pse unë i takoja Lëvizjes dhe asnjë grupi. Kjo u bë edhe më transparente gjatë zgjedhjeve lokale të cilat i humbëm në Ferizaj mes tjerash edhe për shkak të kësaj qasje.

Kur ne dhjetor të vitit të kaluar dola në mbrojtje të të Aida Dërgutit dhe kundër linçimit të sajë publik,për shkak që dikush brenda nesh ishte i interesuar që mospajtimet e brendshme t’i bënte publike duke shfrytëzuar një gabim të sajë, kërkova që çështjet e brendshme të diskutoheshin brenda Lëvizjes dhe u distancova nga ata që përdorën gjuhen e sharjeve dhe të etiketimeve. Kjo bëri që fushata e sulmeve ndaj meje të rritej në atë masë çfarë nuk kisha pasur mundësi ta paramendoja.

Gjatë rrugëtimit tim në Lëvizjen vetëvendosje, jam pajtuar me shumicën e politikave në Lëvizje ashtu siç kam shprehur edhe shqetësimet e mia për gjërat për të cilat nuk jam pajtuar. Disa prej shqetësimeve i kam paraqitur në Këshillin e Përgjithshëm si punën e simboleve të Republikës së Kosovës për të cilat kam kërkuar të respektohen derisa ta kemi shumicën parlamentare për ti ndryshuar zyrtarisht ato. Jam shprehur gjithashtu pro koalicioneve të cilat në raste të veçanta kanë qenë, për mendimin tim, të domosdoshme, edhe pse ne nuk janë bërë.

Gjatë rrugëtimit tim politik prej vitit 1978 kam vepruar në subjekte të ndryshme politike. Mjerisht në asnjë subjekt politik nuk kam pasur më pak ndikim se sa brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Sot, me që punët e shtëpisë po diskutohen në publik, për çka unë kam qen kundër dhe jam deklaruar publikisht, nuk mund të mos e pranoj që ashtu si edhe shumë kolegë e kolege të tjera kam disa qëndrime që dallojnë nga ato që janë mbajtur në praktikë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Personalisht kam bindje prej socialdemokrati. Kjo është edhe arsyeja pse jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Mjerisht në strukturën e Lëvizjes Vetëvendosje gjejmë gjithçka, prej fetarëve e besimtarëve politik e deri tek të djathtit ekstrem dhe ultranacionalistët. Të tillët as nuk më përfaqësojnë e as i përfaqësoj unë, madje nuk kam asgjë të përbashkët me ta. Si rezultat i kësaj përzierje kemi një disproporcion mes programit politik dhe përfaqësimit ideologjik në struktura të Lëvizjes Vetëvendosje. Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i kthehet shtresës së cilës përfaqëson me koncept politik. Angazhimi për atdheun është edhe çështje e socialdemokracisë, por nacionalizmi ekstrem nuk i zgjidh problemet e vendit.

Jam për dialog të hapur, demokratik të mirëfilltë dhe krijim të kushteve për një dialog konstruktiv dhe të sinqertë i cili dy vitet e fundit mungoi. Çdo shprehje e dallimeve u konsiderua anti Lëvizje. Rasti më i freskët është linçimi publik ndaj të gjithë atyre që shprehën pakënaqësitë e tyre publikisht dhe u deklaruan për reforma në Lëvizje. Të gjithë ata që deri tani shfaqën pakënaqësi u larguan apo u përjashtuan nga Lëvizja Vetëvendosje ose u etiketuan si njerëz të shërbimeve të ndryshme prej SHIK-ut e deri tek bashkëpunëtorë të Sigurimit Serb. Nëse ka demokraci, nëse ka gatishmëri për dialog dhe reforma pse është kaq i dhimbshëm mendimi ndryshe dhe pse nuk durohet fare si i tillë?

Shteti i Kosovës ka simbolet e tij. Ato iu imponuan padrejtësisht . Edhe pse ne i përdorim letërnjoftimet, lejet e makinave, pasaportat e dokumente të tjera me këto shenja, politikisht nuk i njohim. Jam i mendimit se duhet ti respektojmë derisa të krijojmë shumicën parlamentare për t’i ndryshuar.

Me gjuhën tonë politike dhe shikimin jo rrallë bardh e zi të gjërave kontribuuam për një klimë politike e cila nuk la vend për dialog dhe konsensus shoqëror. Nuk ka zhvillim ekonomik, politik dhe ecja përpara pa konsensus. Nuk janë të gjithë ata që nuk pajtohen me ne armiq për jetë a vdekje, por kundërshtar ton politik, disa më të mëdhenjtë dhe të tjerët më të vegjël. Ata me të cilët duhet të merret prokuroria dhe gjykatat le të merren ato. Ne nuk jemi as prokuror e as gjykatës.

Sot demokracia ka përcaktuar rregullat e sajë. Jam për respektimin e këtyre rregullave si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kundër përdorimit të metodave jokonvencianale në kushte paqeje si mjete të politikës.

Jam për më pak parolla, deklarime parimore dhe shumë më shumë për veprime konkrete në drejtim të bashkimit të shqiptarëve në ekonomi, politik, kulturë. Është më lehtë ecja dhe implementimi i qëllimeve hap pas hapi se sa politikat e quajtura parimore, e që nuk qojnë në asnjë rezultat konkrete. Ne kemi mundësi të bëjmë më shumë me Shqipërinë, më shumë me shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevë dhe Malit të Zi, më shumë me mërgatën dhe për mërgatën kudo në botë.

Këto janë disa nga preokupimet e mia.

Disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kur bëra prononcimin për linçimin e Aida Dergutit, than që e kam për pushtet. Unë po jap një shembull të kundërt. Nuk e kam për pushtet. Po jap dorëheqja nga të gjitha pozitat që kam në Lëvizje prej Anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm e deri tek Drejtuesi i Komitetit për Mbrojtje Sociale, respektivisht politika sociale. Pra le ta mbajnë pushtetin ata që e duan. Si anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje do t’i përgjigjem Këshillit të Përgjithshëm sa herë që të ketë dëshirë për të raportuar për punën time si deputet.

Në kushtet e krijuara konsideroj që nuk ka vend për diskutime përmbajtësore, as për reforma. Ata që dhanë dorëheqje u cilësuan si puçist. Puqi i vërtet ndodhi ndaj Visar Imerit dhe atyre që po konsiderohen si puçist. Mund të më quani edhe mua sit të tillë po deshët edhe pse edhe mua mu bë puq si gjatë zgjedhjeve nacionale ashtu edhe gjatë zgjedhjeve lokale. Kjo nuk më dhemb fare dhe le të mbetet çështje e ndërgjegjes së atyre që vepruan kundër meje, pra kundër Lëvizjes.

Unë mbetem edhe më tutje anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse Lëvizja Vetëvendosje ka forcën e brendshme të ndryshimit ajo do të mund të ec përpara dhe unë do të jem mbështetës i sajë. Nëse nuk ka kompromis, e kjo kështu duket të jet momentalisht, është më mirë të ndahemi dhe të bashkohemi në pikat që na bashkojnë se sa të merremi pafundësisht me njëri tjetrin. Nëse vjen deri tek ndarja, çfarë nuk do ta dëshiroja, mund të bashkëpunojmë me njeri tjetrit. Besoj se qëndrojmë shumë më afër se sa me ata që deshëm t’i bëjmë partner koalicionesh.

Në fund dua të them edhe dy fjalë për Albin Kurtin. Kurrë dhe asnjëherë nuk kam pasur asnjë konflikt personal. Kur kam pas mendim ndryshe ia kam shprehur atij drejtpërsëdrejti. Mendoj që është njeriu që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Lëvizjen Vetëvendosje dhe e ka merituar të jetë Kryeministër i Kosovës sepse është më i mirë se të gjithë kryeministrat që kemi pasur deri më tani. Për aq sa mua më është e njohur ka pasur një propozim që të gjithë ata që janë implikuar në një mënyrë apo tjetër në situatën e krijuar gjatë vitit të fundit dhe këtu po mendoj për Dardan Molliqajn, Visar Imerin dhe Albin Kurtin, të mos kandidojnë për një periudhë një apo dy vjeçare për pozitat kyçe deri sa situata të stabilizohet. Ky do të ishte një konsensus i përkohshëm. Ishte vetëm një propozim. Askush nuk e ka vënë në dyshim dhe nuk mund ta vej në dyshim se Albini nuk do të zgjidhej. Kjo do të ishte e pa papramendueshme. Unë kam pasur besim që Albin Kurti me dy rreshta çoftë gjatë burgut, çoftë pas tij do ta qetësonte situatën. Pse s’ka ndodhur jo, nuk e di.

Mua më vjen shumë keq që një pjesë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje janë instrumentalizuar dhe nuk janë të vetëdijshëm për dëmin që ia kanë shkaktuar Lëvizjes.

Kam kaluar shumë moment të mira me shumë njerëz që kam bashkëpunuar ndër vite. Me shumë prej tyre dua ta ruaj miqësinë dhe respektin. Ka një jetë edhe pas politikës. Është mirë të lëmë vend për ta shikuar njeri tjetrin në sy edhe pas disa muajsh, edhe pas disa vitesh.

Me respekt
Faton Topalli

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëtimi i parë jashtë vendit i ministres së re të…