Fazliu: E kalojmë edhe Santa Coloman

27 qershor 2019 | 17:45

Astrit Fazliu ka thënë se Feronikeli me plot meritë e kaloi pengesën e parë në Ligën e Kampionëve, kurse i bindur është se do ta mposhtë edhe kundërshtarin e dytë, Santa Coloman në finalen që zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Skuadra kampione dhe fituese e Kupës së Kosovës në futboll, Feronikeli, e mposhti të martën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri”, Lincoln Red Imps me rezultat minimal 1-0, në ndeshjen e gjysmëfinales në paraeliminatoret për Ligën e Kampionëve. Sulmuesi Astrit Fazliu ka thënë të mërkurën për “Epokën e re” se “Nikli” fitoi me meritë të plotë ndaj një ekipi të fortë siç është Lincoln Red Imps.

“Feronikeli ia doli për mrekulli kundër një ekipi të fortë siç është Lincoln. Mund të them se paraqitja jonë ishte e mirë dhe me meritë shënuam fitore që na mundësoi kalimin në finale. Përveç golit të shënuar, kemi pasur edhe raste të tjera për shënim, por dihet se Liga e Kampionëve është garë më e vështirë dhe mjafton edhe një gol për ta arritur synimin”, ka thënë Fazliu, i cili ishte ndër futbollistët që ka vrapuar më së shumti në këtë ndeshje nga skuadra e “Niklit”.

Ish-sulmuesi i Dritës, Ferizajt dhe Prishtinës foli edhe për ndeshjen e dytë finale e cila zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45. Fazliu, që ka një përvojë të madhe si futbollist, e vlerëson maksimalisht skuadrën e Santa Colomas, por beson se Feronikeli do të dalë triumfues. “Ndeshja e dytë finale do t’i ketë vështirësitë e veta por ne, sikurse në ndeshjen e parë, do të hyjmë seriozisht dhe besoj se do ta kalojmë edhe Santa Coloman, e cila është një kundërshtare e fitores. Jemi optimistë se mund të shkojmë shumë lart në këto gara për faktin se kemi një ekip cilësor dhe me pak fat mund të arrijmë suksese të mëdha”, ka deklaruar Fazliu. Duhet cekur se kampionia e Andorrës, Santa Coloma, në finale u kualifikua pas fitores ndaj kampiones së San Marinos, Tre Penne.

Feronikeli pati pak shikues, por nuk i ul çmimet e biletave

Pavarësisht se numri i shikuesve të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte i vogël për ta përcjell ndeshjen Feronikeli – Lincoln si pasojë e çmimit të lartë të biletave, Feronikeli nuk i ndryshon çmimet e biletave as për ndeshjen finale. Kundërshtare e skuadrës nga Drenasi në finale është Santa Coloman. “5 euro për zonat Përmendim dhe Lindje, kurse 10 euro për Zonën VIP”, thuhet në njoftimin e Feronikelit. Biletat do të dalin në shitje ditën e enjte nga ora 14:00 në këto pika të shitjes: Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, Sheshi ‘Fehmi Lladrovci’ në Drenas, restorant ‘Dijamant’ në Drenas dhe pizzeria ‘Dijamant’ në Komaran. Ndërkaq të premten biletat shiten vetëm te stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Shenaj Berisha, ka ligjëruar…