FC Alba Augsburg humb finalen e Kupës së Kosovës për Diasporën pas penalltive ndaj FC Kastrioti Stukenbrock

28 qershor 2026 | 23:13

FC Alba Augsburg përfundoi me sukses pjesëmarrjen në Turnirin për Kupën e Kosovës për Diasporën, i cili u zhvillua në Frankfurt të Gjermanisë, duke arritur deri në finale, ku u mposht vetëm pas ekzekutimit të penalltive nga FC Kastrioti Stukenbrock.

“Ishte një kënaqësi e madhe të marrim pjesë në Turnirin për Kupën e Kosovës për Diasporën. Edhe pse temperaturat ishin mbi 40°C, atmosfera, mikpritja dhe emocionet e futbollit e bënë këtë aktivitet të paharrueshëm.

Djemtë tanë zhvilluan një turnir të jashtëzakonshëm dhe arritën deri në finale. Siç ndodh shpesh në futboll, fituesi këtë herë u përcaktua me penallti, ku fati deshi që trofeu t’i takonte ekipit kundërshtar, FC Kastrioti Stukenbrock.

Megjithatë, ne jemi jashtëzakonisht krenarë për ekipin tonë. Lojtarët dhanë maksimumin në çdo ndeshje dhe dëshmuan se FC Alba Augsburg është rritur, është forcuar dhe tashmë është një skuadër që garon denjësisht për trofe deri në finale.

Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin e Federatës për Gjermani, z. Afrim Osmanaj, për organizatorët e këtij eventi, si dhe për Federatën e Futbollit të Kosovës, për organizimin dhe mikpritjen e shkëlqyer.

Mirënjohje dhe respekt për të gjithë përfaqësuesit shtetërorë të Republikës së Kosovës, për përfaqësuesit e konsullatave në Frankfurt dhe Mynih, si dhe për atashejt e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës, të akredituar pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, si dhe për shumë personalitete të tjera që na nderuan me praninë e tyre.

Mirënjohja jonë më e madhe shkon për të gjithë sponsorët dhe kontribuuesit e FC Alba Augsburg, të cilët bënë të mundur që i gjithë ekipi të udhëtonte dhe të merrte pjesë në këtë turnir me të gjitha shpenzimet e mbuluara. Pa mbështetjen tuaj, kjo nuk do të ishte e mundur.

Faleminderit gjithashtu të gjithë atyre që ishin pranë nesh gjatë gjithë turnirit dhe na mbështetën në çdo hap.

Ky është vetëm fillimi. Shpresojmë që në vitet e ardhshme ta sjellim Kupën e Kosovës për Diasporën në Augsburg. Forca FC Alba Augsburg!”, ka shkruar zëvendëskryetari i klubit, Nexhmi Sokoli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Në njërën anë, pas përfundimit të luftës në…