FC Prishtina fiton për herë të dytë turneun ‘Adem Jashari’

07 mars 2021 | 10:06

FC Prishtina e ka fituar për herë të dytë trofeun e turneut tradicional në futsall “Adem Jashari”. Në ndeshjen finale të edicionit të 12-të të këtij turneu, që u mbajt në kryeqytet nën organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës, FC Prishtina e mundi rivalin lokal, FC Prishtina 01, me rezultat të ngushtë 1:0.

Të pranishëm në finale krahas presidentit Agim Ademi, sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu dhe punëtorëve të ndryshëm sportiv ishte edhe kryetari i KK të Skenderajt, Bekim Jashari dhe familjarë tjerë të familjes së Komandantit Legjendar.

Ndeshja finale u përshkua me lojë shumë të fortë dhe rivalitet të skajshëm, e ku fituesin e përcaktoi goli i shënuar nga Jeton Rukovci në minutën e 14-të. Në pjesën e parë FC Prishtina pati mundësi për ta dyfishuar epërsinë, por gjuajtjen e Leonardo Monteiros e priti portieri Cristiano Da Silva. Në pjesën e dytë lojtarët e Prishtinës 01 bën trysni të vazhdueshme drejt portës rivale në përpjekje për të barazuar shifrat, por hasën në mbrojtje shumë të organizuar të FC Prishtinës dhe kësisoj ndeshja u mbyll 1:0. Në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve fillimisht presidenti Ademi ndau mirënjohje për Familjen Jashari, të cilën e pranoi Igball Jashari, një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit kosovar. Ndërkaq, medaljet për ekipin fitues dhe trofeun për kapitenin e FC Prishtinës, Jeton Rukovci e ndanë bashkërisht presidenti Ademi, nipi i Komandantit Legjendar, Fazli Jashari dhe kryetari i Komisionit të Futsallit, Haki Xhemajli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka folur për fitores që…