Fëmijët e Donald Trumpit refuzojnë të dëshmojnë në hetimin për mashtrim

04 janar 2022 | 15:30

Dy nga fëmijët e Donald Trumpit kanë refuzuar të dëshmojnë lidhur me një rast hetimi për mashtrim në biznesin e familjes.

Donald Jr, 44 vjeç dhe Ivanka, 40 vjeç janë urdhëruar të jepnin dëshmi nga prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James.

Ajo ka hapur një hetim civil në vitin 2019 mbi pretendimet se  përpara se të merrte detyrën, Trumpi kishte fryrë vlerën e aseteve të tij në banka kur kërkonte hua.

Avokatët e Trumpit janë duke u përpjekur ta ndalojnë Jamesin që të marrë në pyetje ish-presidentin amerikan dhe fëmijët e tij.

Ata i kanë kërkuar një gjyqtari që të anulojë ofertën “e paprecedentë dhe antikushtetuese” për dëshminë e tyre, raporton “BBC”.

Trumpi e ka paditur Jamesin muajin e kaluar, duke akuzuar prokuroren e përgjithshme, një demokrate e zgjedhur, për një gjueti shtrigash të motivuar politikisht kundër tij, si një republikan.

Ajo kishte kërkuar që ai të dëshmonte personalisht në zyrën e saj përpara të premtes.

Kjo është hera e parë që hetuesit kanë thënë se duan ta marrin në pyetje Donald Junior dhe Ivanka nën betim.

Zëdhënësi i Jamesit ka thënë: “Ne kemi besim se pyetjet tona do të marrin përgjigje dhe e vërteta do të zbulohet, sepse askush nuk është mbi ligjin”.

Djali tjetër, Eric, 37 vjeç, i cili është nënkryetar ekzekutiv në organizatën “Trump”, është marrë në pyetje në tetor 2020.

Çështja civile e Jamesit është e ndarë nga një hetim penal i vazhdueshëm në Manhatan për praktikat e biznesit të organizatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në “Big Brother Albania VIP” janë disa rregulla të rrepta…