Ferizaj ndan 200 mijë euro për parandalim të koronavirusit

01 prill 2020 | 11:40

Komiteti për  Politikë dhe Financa i Ferizajt ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, ku është vendosur që të ndajë 200 mijë euro për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kjo shumë do të merret nga kategoria mallra dhe shërbime.

Ky vendim është përkrahur nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin Komunal të Ferizajt, kurse mbledhja e Kuvendit Komunal do të mbahet nesër në  Teatrin “Adriana”.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka ftuar në një mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Me këtë rast Kryesuesja Gashi, anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa i ka njoftuar se së bashku me ekzekutivin komunal është vendosur që të ndahet shuma prej 200 mijë euro për menaxhimin e pandemisë COVID 19.

Ndërkaq, drejtoresha për Financa, Sebahate Ajeti-Sadiku, para anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa tha se shuma prej 200 mijë euro për pandeminë COVID 19 do të merret nga kategoria mallra dhe shërbime. “50 mijë euro janë nga nënprogrami i administratës, 50 mijë euro janë ndarë nga administrimi dhe mbledhja e tatimit në pronë, 50 mijë euro janë ndarë nga nënprogrami i infrastrukturës rrugore, 50 mijë euro janë ndarë nga nënprogrami për shërbime të shëndetësisë primare. Kjo shumë do të shfrytëzohet për sigurimin e artikujve (pakove) ushqimore e hixhienike për familjet me gjendje të rëndë ekonomike, dezinfektimi i hapësirave publike, furnizimi me mjete mbrojtës nga virusi COVID 19 si dhe mbulimin e nevoja të tjera që dalin si rezultat i parandalimit të këtij virusi”, ka thënë drejtorja Ajeti-Sadiku.

Vendimin për ndarjen e 200 mijë eurove për pandeminë COVID 19 e kanë përkrahur të gjitha grupet e tjera parlamentare të përfaqësuara në Komitetin për Politikë dhe Financa.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës do të mbahet nesër në teatrin e qytetit “Adriana”, ndërkaq aty do të jetë edhe një ekip mjekësor që do t’i kontrollojë asamblistët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 28-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Trento të Italisë.…