Fetahu: Urojmë të jetë një edicion i suksesshëm për basketbollin e Kosovës

27 shtator 2019 | 12:08

Kryetari i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, ka uruar  të gjithë opinionin sportdashës e në veçanti atë të basketbollit por fillimin e edicionit të ri 2019/2020.

“FBK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme për edicionin e ri në të gjitha ligat dhe urojmë që të jetë edicion i suksesshëm për basketbollin e Kosovës. Ashtu siç kemi qenë gjithmonë afër klubeve, ashtu do të jemi edhe në edicionin e ri dhe përkrahja maksimale nuk do të ndalet asnjëherë”, ka thënë Fetahu.

Urimi i plotë i kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu

Të nderuar drejtues të klubeve, lojtarë, gjyqtarë, delegatë dhe adhurues të basketbollit.
Sot fillon edicioni i ri, 2019-2020 në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas organizimit të suksesshëm të Superkupës, presim që edicioni i ri të vazhdojë në mënyrën më të mirë të mundshme, me shumë tifozë në tribuna dhe shumë lojëra të bukura në parket.
Këtë edicion është rikthyer Peja, që i ka munguar shumë basketbollit të Kosovës dhe besoj se, Superliga do të jetë atraktive dhe me shumë përballje interesante. Gjashtë skuadra do të luajnë në “play-off”, vendi i shtatë në “play-out” dhe dy vendet e fundit do të largohen nga elita. Kjo pritet të bëjë shumë interesante edicionin e ri, ku do të garohet deri në fund për çdo pozitë. Rikthimi i Pejës, por edhe përforcimi i skuadrave me lojtarë vendorë dhe të huaj, bënë që edicioni i ri të jetë shumë atraktiv, kurse adhuruesit e basketbollit çdo ndeshje mund ta përcjellin edhe në platformën Art Motion, si dhe me statistika ‘live’ në faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kurse adhuruesit e basketbollit do të informohen për çdo risi në faqen zyrtare, si dhe në rrjetet sociale të FBK-së.
Gjithashtu për herë të parë do të jetë edhe Liga e Parë e Femrave, në mënyrë që garat të jenë më interesante dhe të masivizohet më shumë basketbolli në konkurrencën e femrave.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i kushton shumë rëndësi edhe gjeneratave të reja, ku do të vazhdon përkrahja për ligat nga U12 deri në U18, në të dyja konkurrencat.
FBK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme për edicionin e ri në të gjitha ligat dhe urojmë që të jetë edicion i suksesshëm për basketbollin e Kosovës. Ashtu siç kemi qenë gjithmonë afër klubeve, ashtu do të jemi edhe në edicionin e ri dhe përkrahja maksimale nuk do të ndalet asnjëherë. Për ne, shumë të rëndësishme janë edhe garat ndërkombëtare, andaj u urojmë sukses të gjitha klubeve pjesëmarrëse dhe shpresojmë se do të kenë rezultate sa më pozitive në arenën evropiane. Përveç klubeve në konkurrencën e meshkujve, kësaj radhe edhe Prishtina te femrat do t’i rikthejë emocionet e garave evropiane me pjesëmarrjen e saj në grupet e FIBA Europe Cup Women.
Djemve dhe vashave u urojmë shumë suksese.
Suksese të gjitha klubeve në edicionin e ri.

Arben Fetahu
Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fifi përmes një fotoje në ‘Instagram’ ka treguar se nuk…