FHK-ja pritet të bashkëpunojë me Akademinë e njohur daneze

30 shtator 2021 | 17:40

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në konkurrencë të femrave, Agron Shabani, ka vizituar akademinë e njohur të hendbollit në Danimarkë, Skjern.

Me këtë rast, me drejtuesit e akademisë daneze Shabani është pajtuar për fillim të bashkëpunimit. Tani pritet vendimi i bordit të FHK-së për ta zyrtarizuar bashkëpunimin me danezët. Në Akademinë Skjern, selektori Shabani është pritur nga Jan Ole Kristensen, kryesues i Akademisë dhe trajneri i ekipit të parë të klubit Skjern, Claus Dalgaard Hansen.

Ky ekip garon në elitën daneze. Në këtë Akademi hendbollin e kanë përsosur dy lojtaret e Kosovës, Marigona e Arlinda Hajdari.

“Kjo Akademi më shumë punon për përsosjen e lojtarëve. Do të thotë, punohet për përmirësimin e elementeve të ndryshme të lojtarëve, varësisht se ku ata kanë nevojë. Në Akademi ka edhe dhoma ku banojnë lojtarët që vijnë nga larg apo edhe nga vende të tjera. Punohet nga mosha e re, ndërsa janë të angazhuar disa trajnerë për fëmijë dhe të rritur. Vizita është bërë e mundur përmes motrave Hajdari. Drejtuesit e Akademisë kanë ofruar bashkëpunim me Federatën e Hendbollit të Kosovës. Parimisht jemi pajtuar që disa trajnerë të rinj kosovarë të qëndrojnë për vizitë në këtë Akademi të njohur në Danimarkë. Trajnerët tanë do të vendosen në hapësirën e Akademisë dhe do ta përcjellin nga afër punën që bëhet atje. Po ashtu, këta dy ekspertë danezë janë të gatshëm të vijnë në Kosovë dhe të kontribuojnë për zhvillimin e hendbollit në vendin tonë”, ka thënë Shabani.

Të kujtojmë që Danimarka është prej vendeve me hendbollin më të zhvilluar në botë, sidomos puna me fëmijë dhe të rinj është e nivelit më të lartë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas…