Finlanda dëshiron marrëveshje të shpejt Kosovë – Serbi

26 shkurt 2019 | 18:15

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini, u ka bërë thirrje Prishtinës e Beogradit të arrijnë një marrëveshje ndërmjet vete sa më shpejt.

Një gjë e tillë, sipas tij, do t’i ndihmonte shumë Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, e në radhë të parë në Këshillin e Evropës.

“Nëse ka një zgjidhje brenda një kohe të caktuar, jam optimist se nuk do të ketë hezitim të atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Nëse vazhdon një situatë e paqartë, atëherë do të jetë shumë e vështirë dhe gjërat mund të mos ndryshojnë”, ka thënë ai për “Klan Kosova” të martën në Helsinki

Kryediplomati finlandez ka thënë se i inkurajon të dyja palët të insistojnë për një zgjidhje finale dhe ka bërë me dije se këtë ua ka thënë edhe liderëve të të dyja vendeve, gjatë vizitave të mëhershme që ka bërë në Beograd e Prishtinë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Finlandës.

“Do të ketë një zgjidhje, nëse ka vullnet”, ka thënë ai.

Soini i ka bërë këto komente pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës,Thorbjorn Jagland, kur të dy përfunduan fjalimet hyrëse në konferencën e nivelit të lartë për ndikimin e inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundim të ligjit.

Kjo konferencë po mbahet në Helsinki dhe është organizuar nga presidenca aktuale e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe KE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli shqiptar i skuadrës së Liverpoolit, Xherdan Shaqiri në një…