Fitore dramatike e Prizrenit 16 ndaj Bashkimit

08 dhjetor 23:34

Prizreni 16 ka fituar në derbin lokal ndaj Bashkimit me rezultat 90:92 (21:32, 21:17, 25:23, 23:20), në kuadër të javës së 13-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë deri tek rezultati 10:10, por më pas Prizreni 16 filloi shkëputjen, duke arritur epërsinë më të lartë 17:30, ndërsa çereku i parë përfundoi me shifrat 21:32.

Vendasit kundërpërgjigjën në periudhën e dytë, duke zhvilluar lojë më të mirë, për të afruar shifrat në 39:43, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 42:49.

Në periodën e tretë, mysafirët dy herë ishin në epërsi deri në dhjetë pikë, por në fund të kësaj pjese, vendasit ngushtuan shifrat, ku rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:72.

Ndeshje dramatike u zhvillua në dhjetë minutat e fundit, ku Bashkimi ngushton shifrat në 90:92 dhe kishte aksionin e fundit të ndeshjes, por Lewis nuk ishte i saktë për tri pikë dhe festoi Prizreni 16.

Te Bashkimi u dalluan Anton Kazarnovski me 22 pikë e 14 kërcime, Valon Bunjaku me 22 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime dhe Julian Lewis me 22 pikë, tetë kërcime dhe tetë asistime, kurse te Prizreni 16 u dalluan Urim Zenelaj me 17 pikë e 12 kërcime dhe Ivan Koljeviq me 24 pikë, pesë asistime dhe shtatë kërcime.

Bashkimi ka shtatë fitore dhe gjashtë humbje, kurse Prizreni 16 ka tetë fitore dhe katër humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FSK-ja ka dhënë detaje të reja për mjetin shpërthyes që…