Fitore për Trumpin, miratohet projektligji për shkurtimin e taksave

19 dhjetor 2017 | 23:27

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi të martën sipas linjave partiake për t’i dhënë presidentit Donald Trump fitoren e madhe legjislative – projektligjin për reformimin e sistemit të taksave. Miratimi i Dhomës hap rrugën që paketa të miratohet edhe nga Senati.

Ligjvënësit republikanë thonë se projektligji i ri do t’i japë ekonomisë amerikane shtytjen e nevojshme.

Projektligji shton zbritjet standarte për shumicën e familjeve dhe individëve, dhe pakëson sasinë e të ardhurave të taksueshme që ata duhet të paguajnë.

Ai ul gjithashtu normën e taksave për korporatat dhe amerikanët me të ardhura të larta. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mil Arcega, paketa e reformës së taksave mbart me vete një çmim të lartë.

Ligjvënësit republikanë thonë se projektligji i taksave do të nxisë investimet, do të shtojë punësimin dhe do të verë më shumë para në xhepat e amerikanëve punëtorë.

“Jam i bindur se projektligji për reformën e taksave do t’i ndihmojë të gjithë pasi heq barrën për shumë familje. Do të ketë paga më të larta, dhe ekonomi të fuqishme. Reforma e taksave ka të bëjë gjithashtu me kthimin e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara”, thotë ligjvënësi Kevin Brady.

Përkrahësit besojnë se shkurtimet e taksave do të nxisin investimet e biznesit dhe shpenzimet e konsumatorëve. Por edhe vlerësimet më konservatore sugjerojnë se projektligji i taksave do të rrisë borxhin amerikan me një miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

“Tregjet sigurisht nuk kanë një përgjigje të qartë sesi zoti Trump do t’i financojë të gjitha këto shkurtime pasi ka një përsëritje të politikave të ndërmarra nga Regani në vitet 80 i cili besonte se ulja e taksave për korporatat do të rriste të ardhurat. Kjo nuk ndodhi në vitet 80. A do të ndodhë në vitin 2018? “, thotë analisti Carten Brzeski.

Pavarësisht shqetësimeve për rritjen e shpenzimeve të deficitit dhe shkurtimeve të mundshme të programeve sociale, zoti Brzeski thotë se reagimi në tregjet financiare ka qenë kryesisht pozitiv. Sesa ndihmohet klasa e mesme nga ky projektligj i taksave mbetet ende për t’u parë. Por analisti kryesor i Bankrate.com thotë se fituesit e vërtetë janë ata me të ardhura të larta.

“Do të thoja se projektligji i taksave anon në atë drejtim. Ai do të jetë i mirë për aksionerët. Mendoj se kursimet e taksave do të shkojnë drejt aksionerëve në format e fitimeve më të larta, dividentëve më të lartë, më shumë blerje të aksioneve dhe në një farë mase mund të shohim më shumë punësime, mund të shohim që kompanitë të bëjnë më shumë biznes në Shtetet e Bashkuara dhe jo jashtë vendit, kështu që kjo mund të çojë në një shtim të punësimit.”

Një anketë e kohëve të fundit nga Shoqata Kombëtare për Ekonomistët e Biznesit sugjeron se efektet e këtij projektligji nuk do të mësohen shumë shpejt.

“Legjislacioni ka të ngjarë të lerë shumë taksapagues me fatura më të larta pasi edhe pse ka shkurtime, shumë zbritje të rëndësishme janë hequr dhe do të duhet kohë të duket qartë se cilët janë fituesit dhe humbësit”, thotë Ken Simonson me Shoqatën Kombëtare për Ekonomistët e Biszneseve.

Komisioni për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm beson se humbësi i vërtetë është ekonomia amerikane – duke thënë se projektligji final i taksave do t’i kushtojë përfundimisht vendit më shumë se 2 trilion dollarë. /VoA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë…