Reçica: 270 mijë qytetarë përfitojnë nga skema sociale

19 dhjetor 2017 | 23:23

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se rreth 270 mijë qytetarë aktualisht përfitojnë nga skema sociale.

“Shqetësuese është se mbështetja sociale nuk të bën të ndihesh mirë kur ka aq shumë familje. Për këtë kemi një projekt konkret, ne në Nismë nga fillimi jemi përpjekur të bisedojmë me qytetarët për problemet e tyre. Kjo pikë programore e partisë sonë ka qenë prioritet nga fillimi. Kemi 22 mijë familje që përfitojnë nga asistenca sociale, bëjnë pjesë dy kategori, ato që s’kanë asnjë familjarë të punësuar dhe ato që kanë të paktën një anëtar të aftë për punë”, ka thënë Reçica.

Sipas tij, në kuadër të kësaj, MPMS ka hartuar një strategji për punësim 2018-2021.

“Vetëm kur të kemi numër të rritur të të punësuarve, kur të bien kërkesat për asistencë sociale do të përmbushet ky prioritet i ministrisë. Me buxhetin që kemi, nuk premtohet se do të arrijmë të plotësojmë të gjitha kërkesat për asistencë sociale. Qeveria gjermane po ashtu ka investuar me një projekt më të madhin deri më tani për punësimin e të rinjve të Kosovës. E kemi parasysh gjithmonë sektorin privat me të cilin bashkëpunojmë ngushtë dhe duam të avancojmë punësimin e të rinjve”, ka shtuar Reçica.

Tutje ai ka përmendur edhe kategoritë e dala nga lufta, për të cilat ka thënë se me to është përballur nga ditët e para në ministri.

“U është mohuar e drejta e veteranëve e invalidëve, por pas konsultimeve me qeverinë ne i kemi përcjell mirë këto kategori të cilat janë penguar në realizimin e të drejtave të tyre”, ka theksuar ai.

Kreu i MPMS-së gjatë intervistës në “RTK” ka folur edhe për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai ka thënë se trajtimi i viktimave të dhunës seksuale ka qenë preokupim i tij dhe është trajtuar me shumë kujdes.

“Ne kemi marr vendime që kemi vënë në rrugë kompensimin ndaj kësaj kategorie, edhe pse me kompensim nuk do të gëzojmë këtë kategori sepse ato janë lënduar dhe nuk kemi mbaruar punë me to, prandaj ne do të vazhdojmë përkrahjen ndaj kësaj kategorie”, ka thënë tutje Reçica.

Ai pa dashur të komentoj se sa është numri i viktimave të kësaj kategorie, tha se është planifikuar një buxhet për ta, por nëse në vitin 2018 rriten kërkesat, atëherë do të kërkohet edhe rritje e buxhetit për to. Sipas tij, komisioni për këtë kategori është aktualizuar dhe rastet e para kanë filluar të paraqiten.

Ministri nuk la pa përmendur edhe ligjin e skemave pensionale, për çka tha se ka iniciuar ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji. Sipas tij, ka pasur raste kur është bërë shkelje e të drejtave të njeriut dhe janë keqpërdorur pensionet.

Sa i përket kthimit të fondit pensional nga Serbia, Reçica tha se kjo është një e drejtë që po i mohohet kategorisë në fjalë e që e tejkalon punën e tij si ministër.

“Zgjidhja duhet kërkuar përtej ministrisë dhe kjo çështje duhet të diskutohet në të ardhmen në dialogun me Serbinë. Është e drejtë që po i mohohet qytetarëve, djersa e tyre është tjetërsuar dhe ata duhet ta kërkojnë këtë të drejtë”, ka potencuar Reçica.

Duke folur për shkallën e papunësisë, ai tha se në përqindjen e të papunëve prin rinia. Por për këtë, siç tha ai, po punohet ngushtë me MASHT-it dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

“Askush nuk është e thirrur më mirë se MASHT për të bërë një plan. Kam taku shumë të rinj e të reja që kanë aftësi dhe përgatitje, e me pak mbështetje mund të gjejnë një vend për vete. Ne do të jemi zëri i tyre dhe me buxhetin që kemi do t’i përkrahim ata. Jo vetëm me buxhet por edhe me donatorë të ndryshëm, pasi që numri i të punësuarve vitin e ardhshëm do të jetë më i lartë”, shtoi Reçica.

Ndërkaq, për kategorinë e punëtorëve që nuk kanë kontrata punë, nuk janë të sigurt dhe nuk u respektohet orari i punës, ai tha se po punojnë ngushtë me zyrën e BE-së.

“Kemi hapësirë të mjaftueshme që punëtori të ketë shkallë të lartë të sigurisë dhe orarit, pasi që shëndeti është mbi të gjitha. E përveç sigurisë dhe shëndetit, orarit, zbatimit të kontratave në ligjin e ri do të preket edhe lehonia, në këtë rrafsh do të marrim praktikat e vendeve të BE-së”, ka thënë tutje Reçica.

Po ashtu, ai ka paralajmëruar se paga minimale që tani është 170 do të rritet akoma, në më shumë se 200 euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka emëruar edhe një zëvendësministër të radhës.…