Fitorja e Aleksandër Lukashenkos pritet me protesta

10 gusht 18:13

Fitorja për herë të gjashtë e presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, është pritur me protesta në rrugë dhe përplasje me policinë që kanë lënë disa të plagosur. Bashkimi Evropian ka bërë apel për respektim të lirive të qytetarëve ndërsa opozita refuzon rezultatet.

Me daljen e rezultateve që njoftonin fitoren e 65-vjeçarit me mbi 80 për qind të votës popullore, mijëra qytetarë dolën në rrugë për të denoncuar procesin e manipuluar elektoral.

Disa qendra votimi në qytetet e mëdha u detyruan të mbyllen më herët sesa orari i përcaktuar për arsye se rrezikonin mësymjen nga protestuesit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mbi 100 persona u ndaluan nga policia ndërsa oficerët përpiqeshin të shpërndanin turmat, ndërsa të dyja palët raportuan me dhjetëra të plagosur mes radhëve të tyre.

Teksa në kryeqytet vazhdonte demonstrata, rivalja kryesore e presidentit, Svetlana Tikanovskaja, tha se nuk do i njohë rezultatet sepse në disa zona rezulton fituese me mbi 70 për qind të votave.

37-vjeçarja me profesion mësuese anglishteje hodhi kandidaturën për presidente rastësisht pasi bashkëshorti i saj, një nga zërat kritikë ndaj Lukashenkos, u arrestua dhe iu mohua gara.

“Mendoj se fituam sepse e mposhtëm frikën, mposhtëm indiferencën ndaj politikës, apatinë dhe mospërfilljen tonë. Këto fitore janë më të rëndësishme sesa të gjitha fitoret e tjera.”, ka deklaruar ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, dënoi dhunën e autoriteteve ndaj protestuesve paqësorë dhe kërkoi respektim të të drejtave dhe numërim të saktë të çdo vote.

Vëzhguesit e jashtëm prej dy dekada e gjysmë vlerësojnë se Bjellorusia asnjëherë nuk ka mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që kur Lukashenko mori pushtetin.

Presidenti një ditë më parë tregoi gatishmërinë për të vijuar dialogun me opozitën, por edhe ndaljen e provokimeve por edhe përshkallëzimin e protestave nga ana e tyre.

“Kur përpiqeni të rrëzoni qeverinë, të thyeni apo të ofendoni dikë, mos prisni që t’ju ulem në gjunjë dhe t’ju puth këmbët bashkë me baltën ku keni shkelur. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, ndaj respektoni ligjin dhe nuk do kemi probleme bashkë”, ka deklaruar ai./oranews.al/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Partisë fituese të zgjedhjeve të 15 Korrikut Ali…