Fitorja e Vetëvendosjes ishte e pritshme

09 tetor 2019 | 15:30

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se në zgjedhjet e së dielës është ndëshkuar keqqeverisja e deritanishme në Kosovë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se më 6 tetor qytetarët janë përcaktuar për ndryshim substancial.

Mulhaxha-Kollçaku ka deklaruar se qeveria Kurti do të jetësohet sepse nuk mund të ndryshohet vullneti i qytetarëve. Sepse, sipas saj, fitorja e Vetëvendosjes ka qenë e pritshme. Ajo ka thënë se çfarëdo tendence për ta pamundësuar qeverinë e udhëhequr nga Kurti do ta çojë vendin në zgjedhje.

Mulhaxha-Kollçaku ka vlerësuar se interesi i Kosovës dhe qytetarëve të saj është që sa më shpejt të formohet qeveria dhe proceset të ecin përpara.

Ajo ka treguar se prioritete të LV-së janë zhvillimi ekonomik dhe ndryshimi i gjendjes ekzistuese në vend. Mulhaxha-Kollçaku ka folur edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë, duke thënë se në këtë proces qeveria do t’i mbrojë shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Nuk do të bëjmë dialog të ngutshëm i cili domosdo duhet të përfundojë brenda natës, por do të jetë një dialog i bazuar në argumente, që i sjellë të mira Kosovës dhe konfirmon njohjen nga Serbia”, ka theksuar ajo.

“Epoka e re”: Znj. Kollçaku, rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) e kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje fituese të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit. Si e vlerësoni në përgjithësi këtë proces dhe a ka qenë i pritshëm rezultati i ngushtë në mes të LV-së dhe partisë së dytë, LDK-së?
Mulhaxha-Kollçaku: Dua t’i uroj dhe t’i falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës për përcaktimin e tyre të drejtë duke votuar Lëvizjen Vetëvendosje. Ky përcaktim do të jetë në të mirën e çdo qytetari. Më 6 tetor u ndëshkua keqqeverisja e koalicionit PAN dhe iu dha mbështetja opozitës e cila mori shumicën e votave. Kjo do të thotë se është vullneti i qytetarëve për një ndryshim në Kosovë. Shumica e qytetarëve janë përcaktuar për një ndryshim substancial dhe Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë me numrin më të madh të votave. Këtë e kemi pritur, por nuk ka qenë e lehtë kjo fitore në një shtet të kapur, mirëpo e kemi pasur me vete besimin e qytetarëve. Më 6 tetor u dëshmua se ka shpresë që në Kosovë mund të vijë ndryshimi të cilin jemi duke e pritur tash e sa vjet. Ky është, në fakt, çlirimi i dytë sepse çlirimi i parë ishte në vitin 1999.

“Epoka e re”: Megjithatë, të martën është kontestuar procesi zgjedhor sepse LDK-ja dhe PDK-ja kanë bërë ankesa dhe kanë kërkuar rinumërim të votave në nivel vendi. Pas rinumërimit, a mund të ndryshojë rezultati?
Mulhaxha-Kollçaku: Pas përfundimit të procesit zgjedhor doli lideri i PDK-së dhe e pranoi rezultatin. Sa iu përket të tjerëve nuk e di. Por ky rezultat do të rikonfirmohet në çdo situatë sepse qytetarët e Kosovës tash e 20 vjet kanë parë veç degradim nga të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr Kosovën. Qytetarët janë përcaktuar për ndryshim dhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Këtë vullnet të tyre nuk mund ta ndryshojë askush. Vetëvendosje gjithnjë ka qenë në mbrojtje të votës, pra nuk i ka mbrojtur vetëm votat e veta, por është angazhuar që të respektohet vullneti i qytetarëve pavarësisht se për cilën parti kanë votuar. Unë nuk dyshoj fare se rezultati përfundimtar kur të numërohen edhe votat e diasporës dhe votat me kusht do të jetë në favor të Vetëvendosjes.

“Epoka e re”: Nuk prisni që pas këtyre ankesave të konstatohet se ka pasur gabime dhe lëshime?
Mulhaxha-Kollçaku: Të gjithë e kanë pranuar se ka qenë një proces zgjedhor i rregullt me disa shkelje të vogla të cilat janë evidentuar dhe çdo shkelës duhet të ndëshkohet. Lëvizja Vetëvendosje gjithnjë është angazhuar që të respektohet vullneti i votuesve. Ne jemi angazhuar që të ketë dalje më të madhe sepse e kemi ditur se dalja më e madhe do të jetë në favor të Lëvizjes meqë të pakënaqurit nuk kanë mundësi të votojnë për tjetërkënd. Presim që rezultatet përfundimtare ta rikonfirmojnë fitoren e Vetëvendosjes dhe fillimin e një qeverisje ndryshe dhe me duar të pastra. Detyra e parë e qeverisë Kurti do të jetë çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit institucional.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje, a i ka filluar negociatat me Lidhjen Demokratike për formimin e qeverisë së re?
Mulhaxha-Kollçaku: Jemi duke pritur numërimin e të gjitha votave, por lideri Kurti ka bërë me dije se do ta ftojë partinë që ishte në opozitë, LDK-në. Jemi të prirë që të bisedojmë me ata që kanë qenë në opozitë sepse të tjerët kanë keqqeverisur dhe e kanë humbur besimin e qytetarëve. Prandaj presim që pas numërimit të të gjitha votave, LV-ja dhe LDK-ja të ulen dhe të bisedojnë për formimin e qeverisë së re, së cilës do t’i prijë kryeministri Albin Kurti.

 “Epoka e re”: Ju keni preferenca për të bashkëqeverisur me LDK-në, por nëse kjo nuk do koalicion me ju, atëherë a mund të presim një koalicion të LV-së me AAK-në dhe minoritetet?
Mulhaxha-Kollçaku: Nuk dua që tani të lëshohem në këto analiza sepse e kemi bërë të qartë preferencën tonë. Jemi të interesuar për të bashkëqeverisur me LDK-në dhe partitë minoritare, përveç Listës Serbe.

“Epoka e re”: Ka rrezik që të mos formohet qeveria Kurti?
Mulhaxha-Kollçaku: Çfarëdo tendence eventuale për ta pamundësuar qeverinë e udhëhequr  nga Kurti do ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Natyrisht se pas atyre zgjedhjeve qeveria do të formohet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Kështu që nuk besoj se është në favor të asnjë subjekti, më së paku të shtetit të Kosovës, që të kemi zgjedhje të reja. Interesi i qytetarëve dhe shtetit të Kosovës është që sa më shpejt të formohet qeveria Kurti dhe të ecin proceset përpara.

“Epoka e re”: Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Kosova ndodhet në një gjendje jo të mirë dhe e presin shumë sfida si në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Do të mund qeveria Kurti ta përmirësojë gjendjen në vend dhe t’i tejkalojë me sukses këto sfida, përfshirë këtu dialogun me Serbinë, agjendën evropiane, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik  e të tjera?
Mulhaxha-Kollçaku: Jemi të vetëdijshëm ndaj sfidave që na presin. Kemi trashëguar një gjendje shumë të rëndë, mirëpo duke pasur parasysh programin tonë qeverisës, kryeministrin Albin Kurti, numrin e madh të kuadrove dhe duke qenë të hapur për njerëzit e tjerë, është e qartë që ekspertët tanë do të bëjnë ndryshime substanciale në shëndetësi, në arsim dhe në të gjitha segmentet e tjera. Edhe sa i përket dialogut jemi shumë kredibilë dhe me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare Serbia do të jetë në një pozitë jo të favorshme përballë nesh. Serbia është ajo që e ka nisur luftën dhe që ka bërë krim në Kosovë, prandaj na ka shumë borxh. Qeveria Kurti do të zhvillojë një dialog ndryshe dhe në të mirë të Kosovës. Qeverisja jonë do ta ndryshojë gjendjen për të mirë në vend dhe do ta shpërblejë besimin e qytetarëve. Të jeni të sigurt se Kosovën e presin ditë më të mira.

“Epoka e re”: Do të mund të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi në këtë mandat të Kurtit?
Mulhaxha-Kollçaku: Prioritetet tona janë zhvillimi ekonomik dhe ndryshimi i gjendjes ekzistuese në vend. Nuk do të bëjmë dialog të ngutshëm i cili domosdo duhet të përfundojë brenda natës, por do të jetë një dialog i bazuar në argumente, që i sjellë të mira Kosovës dhe konfirmon njohjen nga Serbia. Do të kemi njerëz kredibilë në ekipin negociator. Dialogu është i pashmangshëm, por në një format krejt tjetër. Fillimisht do t’i shqyrtojmë të gjitha marrëveshjet e arritura të cilat i kanë sjellë favore vetëm Serbisë dhe kjo përfundimisht do të ndryshojë. Është e qartë se fillimisht do të bisedojmë me serbët e Kosovës dhe të gjitha komunitetet e tjera për t’i mbështetur nevojat e tyre, por jo ata të cilët kanë qenë të ndikuar nga Beogradi dhe kanë bërë obstruksione ndaj Kosovës dhe kanë penguar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Qeveria Kurti, në dialogun me Serbinë, do t’i mbrojë shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stefano Pioli është prezantuar si trajner i ri i skuadrës…