Fitorja, e vetmja alternativë për Llapin kundër Dukagjinit

05 qershor 2020 | 08:59

IPKO Superliga, pas ndërprerjes për shkak të pandemisë, rikthehet me ndeshjen Llapi – Dukagjini, e cila zhvillohet sot në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Trajneri Tahir Batatina për “Epokën e re” ka thënë se e vetmja alternativë për klubin e tij në këtë ndeshje është fitorja, derisa sulmuesi Granit Arifaj beson se mund të befasohet skuadra e Llapit.

Pas dy ndeshjeve të para gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll rikthehet edhe IPKO Superliga.

Ndeshja e parë e javës së 23-të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në mes të Llapit dhe Dukagjinit nga Klina. Llapi aktualisht është në pozitën e gjashtë me 34 pikë, por trajneri Tahir Batatina ka thënë të enjten për “Epokën e re” se synim i kësaj skuadre është fitorja në këtë ndeshje dhe synimi që në fund të përfundojë në mesin e skuadrave më të mira në elitë dhe ta sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane. “Për kohën që kemi pasur në dispozicion jemi përgatitur maksimalisht dhe në ndeshjen ndaj Dukagjinit synojmë tri pikë. Llapi do të mundohet ta përfundojë kampionatin në njërën nga pozitat e para dhe të dalë në Evropë. Mungesa e vetme për ndeshjen e radhës është Behar Maliqi, i cili nuk ka të drejtë loje për shkak të kartonëve”, ka thënë Batatina.

Për dallim nga Llapi, Dukagjini do të luajë në këtë ndeshje pa presion të madh për faktin se tashmë ka pak gjasë për ta siguruar ekzistencën në Superligë. Megjithatë, Granit Arifaj për gazetë ka thënë se në Podujevë udhëtojnë për rezultat pozitiv. “Ka qenë një kohë e shkurtër për t’u përgatitur mirë, por jemi munduar ta shfrytëzojmë kohën që kemi pasur. Në ndeshjen ndaj Llapit shkojmë për ta dhënë maksimumin dhe nëse na jepet rasti, synojmë edhe të fitojmë. Për këtë ndeshje na mungon Abu Kamara që s’ka të drejtë loje dhe të lënduarit Ilir Mustafa dhe Granit Elezaj”, ka thënë Arifaj.

Kjo ndeshje zhvillohet me fillim nga ora 16:00, kurse të shtunën zhvillohen dy ndeshjet e tjera për këtë xhiro dhe java mbyllet me tri ndeshjet që janë në program të zhvillohen të dielën.

IPKO Superliga

Të premten takohen:
16:00 Llapi – Dukagjini

Të shtunën takohen:
16:00 Feronikeli – Vushtrria
16:00 Drita – Flamurtari

Të dielën takohen:
16:00 Gjilani – Flamurtari
16:00 Ballkani – Drenica
18:00 Prishtina – Ferizaj

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komunën e Fushë Kosovës sot janë paraqitur edhe dy…