Fituesi i zgjedhjeve në Holandë thotë se e përkrah referendumin për dalje nga BE-ja

23 nëntor 2023 | 16:04

Populisti holandez i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, ka thënë pas fitores në zgjedhje se dëshiron që të bëhet kryeministër i vendit dhe se është në favor të një referendum për largimin e Holandës nga Bashkimi Evropian.

Si përkrahës i ish-presidentit amerikan, Donald Trump dhe kryeministrit euroskeptik hungarez, Viktor Orban, politikani i njohur për qëndrimet kundër Islamit është zotuar për t’i zvogëluar pagesat e Holandës për BE-në dhe për ta bllokuar hyrjen e ndonjë shteti të ri në bllok, përfshirë Ukrainën, raporton agjencia “Reuters”.

Edhe pse idetë më radikale të Wildersit pritet të kundërshtohen nga partitë e tjera me të cilat duhet të punojë për të formuar koalicion, disa populistë të tjerë evropianë, përfshirë zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini, e mirëpritën fitoren e holandezit si dëshmi që “një Evropë e re është e mundshme”.

Pasi ka shprehur synimin për t’u bërë kryeministër dhe mbështetjen për mbajtjen e një referendumi për largimin e vendit nga BE-ja, Wildersi ka thënë: “Por gjëja e parë është një kufizim i konsiderueshëm ndaj azilit dhe imigrimit. Nuk e bëjmë këtë për veten tonë, e bëjmë këtë për tërë holandezët që na kanë votuar”.

Përderisa partia e tij do ta marrë gati çerekun e ulëseve në Kuvend, kryetari i saj ka nevojë për mbështetje nga partitë tradicionale në koalicion dhe do të detyrohet që të zbusë disa nga qëndrimet e tij.

Për shembull, asnjëra nga partitë me të cilat Wildersi mund ta formojë qeverinë nuk do të ishte e gatshme për t’u larguar nga BE-ja ose për t’i shkelur garancitë kushtetuese të Holandës për lirinë e religjionit, por ai ka thënë se beson që mund të arrihet një marrëveshje.

Fitorja e tij dërgon paralajmërim për partitë tradicionale në Evropë para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian qershorin e ardhshëm, ku temat pritet të jenë të njëjta si para zgjedhjeve në Holandë: emigrimi, kostoja e jetesës dhe ndryshimet klimatike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spektakël dhe rezultate surprizë dhuruan ndeshjet e radhës në kampionatin…