Fjalë dhe kuptime

12 mars 2023 | 08:27

Qemal Murati

“Koha ua ka ndryshuar kuptimin shumë fjalëve” / Predrag Matvejević 

Çdo fjalë ka historinë e vet

Fjala, si njësi themelore me kuptim më vete e gjuhës, ka jetë. Edhe ajo lind, zhvillohet – e ndryshon kuptimin dhe formën e saj – dhe vdes (zhduket). Nëse dikush sot i thotë dy fjalë në gjuhën shqipe të para njëmijë vjetëve, kur t`i dëgjojmë ato do të kujtojmë se janë kinezisht. Po t`i lexohet një greku vetëm një gjysmëvarg i Homerit, që është shkruar para tetë shekujsh, ai ose do të mohojë se Homeri ka qenë grek, ose do të refuzojë se vetë është grek (S. Frashëri, Gjuha, Logos-A, Shkup, 2002). Koha ua ka ndryshuar kuptimin shumë fjalëve (Matvejeviç 2003: 285).

Gjatë historisë së formimit të gjuhës, sikundër e thoshte Horaci 2000 vjet më parë, ringjallen shumë fjalë që dikur ishin zhdukur, ndërsa humbasin shumë të tjera që sot zënë një vend nderi, po ta kërkojë përdorimi…që është ligj dhe normë e të folurit (Leka 2007: 265). Kështu ka ndodhur dhe në zhvillimin historik të leksikut të gjuhës shqipe, ku shumë terma e leksema të hua­zuara ose prej brumit të vendit, nuk i kanë format dhe kup­timet e tyre që i kanë pasur dikur.

Kësisoj, fjala tjetër kuptim ka pasur në përdorimet e saj të kryehershme, tjetër kuptim ka sot, e tjetër kuptim mund të ketë në zhvillimet e saj të mëvonshme. Fjalët në përdorimin e tyre shpeshherë e zgjerojnë ose e ngushtojnë kuptimin e tyre nga ai fillestar ose primitiv, jo rrallë dhe e ndryshojnë fare, pra marrim një kuptim të ri, krejt të ndryshëm nga i pari. Kjo ndodh si me fjalët brenda një gjuhe, dialektizmat leksikore, ashtu dhe me fjalë të huazuara nga gjuhë të ndryshme. Kështu p.sh. fjala “Botues” në një shtet komunist nuk është e njëjtë me atë që përdoret sot.

Fjalë me zgjerim dhe me ndryshim kuptimi 

Barbar Qytetet greke e gjetën identitetin e tyre duke shpikur një armik për ta përshkruar gjithmonë si të keq e të shëmtuar, përtej realitetit të fakteve: “barbarët” (fjala onoma­topeike e krijuar pikërisht nga grekët) apo më mirë “njerëzit që flisnin një gjuhë të pakuptueshme”. Dhe më barbarët mes barbarëve ishin persët. “Barbari përshkruhej si i ndryshëm në gjithçka: jo vetëm që nuk fliste si grekët, por as nuk hante si grekët, të cilët përcaktoheshin si “bukëngrënës”.

Më vonë kjo fjalë mori kuptime të ndryshme. Në FGJSH (2006) barbar shënjohet me këto kuptime: 1. hist. emër me të cilin grekët e romakët e vjetër quanin me përbuzje të huajt, që nuk flisnin gjuhën e tyre. 2. përb. Shumë i prapambetur, i pagdhendur e primitiv; i egër e shkatërrimtar: sjellje barbare.

Bibliotekë/ Bibël – lidhen me emrin e vjetër fenikas Biblos, qendër e prodhimit dhe e eksportit të papirusit (letrës), kështu që bibla etimologjikisht në thelb do të thotë “papyrus, libër prej papirusi”. Më vonë, Bibël mori kuptimin e një libri të shenjtë për “Dhiata e vjetër” (për fenë e hebrenjve e për fenë e krishterë) dhe “Dhiata e re” (vetëm për fenë e krishterë).

Nëdrkaq, fjala pergamen analogjikisht vjen nga emri i qytetit Pergamon në Azinë e Vogël (R. Bugarski, Pismo, Skopje, 200l, l47).

Bojkot – pakkush e di që fjala angleze bojkot (bojkotim, bojkotoj) lidhet me emrin personal të britanikut Çarls Bojkot (l832-l897). Në anglisht to bojkot në fillim kishte kuptimin “dëboj një tregtar të pandershëm” (Çarls Bojkotin nga punëtorët e tij, që i shfrytëzonte pa mëshirë), ndërsa më vonë fitoi atë kuptimin që e ka sot:”pengoj një veprimtari politike, ekonomike, kulturore etj., duke mos marrë pjesë në të” (K. Jorgaqi, Leksikone xhepi për gjuhën, Tiranë, 2000).

Bumerang – është një vegël e epokës së gurit në trajtë shkopi të përkulur, e përdorur nga banorët aborigjenë të Australisë për të goditur viktimën (shpend) në fluturim e sipër. Hedhja e tij synon të godasë viktimën, por në rast se nuk ia arrin qëlli­mit, atëherë shkopi pasi përshkon një trajektore gjysmë­rrethore i kthehet me forcë atij që e lëshoi. 2. fig. veprim që kthehet e bie te vepruesi.

Dobi – Te Bardhi dhe Bogdani sllavizmi dobī, që sot shënjon përparësinë ekonomike, fitim tregtar, ka dhe kuptimin e fitores ushtarake (Riza 1996: 244).

Faleminderit – formuar nga ngjitja, që nuk shqitet, e dy fjalëve: fal+nder, me kuptim reciprok, d.m.th. edhe unë të falem me nderin tim ty, ashtu si dhe ti më falesh me nderin tënd mua, semantikë që nuk e gjen të paktën as tek latinishtja e as tek greqishtja e lashtë, apo dhe në gjuhët e sotme: të anglishtes e frengjishtes, të gjermanishtes e italishtes, apo të rusishtes, pa e parë më tej në gjuhë të tjera. (Khs. semantikën e fjalës: faleminderit, me: thanks, merci, danke, grazie, spasiva). Aq shumë e ka çmuar këtë virtyt populli shqiptar, sa që dhe urimin më të preferuar ka pasur: “shëndet e nder!” dhe betimin më të fortë, “për nder”, apo “fjalën e nderit”, gjë që shprehej dhe në sentencën: “Më mirë i vdekur e me nder, se sa i gjallë e pa nder” (Ismet Elezi, “Njerëz të dijes”, nr. 33, prill 2003).

Gjellë – ushqim. Dikur fjo fjalë kishte kuptimin “jetë”, që del të ruhet te ruhet te titulli i veprës së autorit arbëresh Jul Variboba “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” (= Jeta e Shën Mërisë Virgjër). Edhe te Buzuku gjellë: gjell “rroj” (nga gjallë). Khs dhe sllav. život “jetë” (= žito “drithë, si ushqim themelor për jetë”, sh. Živko Bojadžiev, Uvod v ezikoznanieto, Plovdiv, 1997).

Kafshë – qenie e gjallë, shtazë. 2. Njeri i trashë dhe i pasjell­shëm. Kjo fjalë e rrjedhur nga lat. causa, dikur kishte kuptimin fillestar “gjë, send”, që del të ruhet në trajtën e saj të ngurosur te geg. kashelashëka(fsh)ë e lash(t)ë = tosk. gjëegjëzë, e gjëkafshë “send”. Autori i gramatikës së parë shqipe, Françesco Maria da Leçe, shkruante: “Këtë Diccionar, oh Shqipëtar i dashun, e shkrova jo për zotni tande, qi di ma fort se unaj, veç për vetëhe, qi jam për së largu, e gjuhën e shqiptarëve e kam posi kafshë të huoajë”.

Kallnor – vjet. janar (FGJSH). Kjo fjalë në origjinën e saj shënonte festivalin i Vitit të Ri latin “kalendar”, që si e tillë u ruajt më pas në variantin e vjetër gegë “kallnor”.

Kastë – fjalë me origjinë iberike (la casta), që është e pranishme edhe në spanjisht dhe në portugalisht. Që andej ajo u përhap edhe në të tjera gjuhë. Koncepti i saj i parmë ishte “racë, klan, sistem rigjid racor me bazë lidhjet e gjakut”. Me kalimin e kohës, koncepti i kastës, me zhvillimet politike, krijoi një pezhorizim të ri semantik. Nga koncepti lidhjet e gjakut, u kalua në një koncept më të gjerë, ku kastë mund të krijohet edhe përmes lidhjeve të interesit, lidhjeve krahinore, politike, etj.

Katun – leksemë ballkanike e proveniencës së barinjve shqiptarë dhe arumunë. Në krye të herës kjo fjalë shënjonte “një grup njerëzish të disa familjeve të mbledhur rreth një kryepari të tyre, nën drejtimin e të cilit kryenin detyrimet e tyre ndaj kryeparit dhe punë të rëndësishme ekonomike”. Pastaj, katun mori kuptimin e vendbanimit në të cilin jetonte një bashkari e tillë (Filipović 1963: 45); ‘bashkësi e njerëzve shqiptarë dhe vlleh, që merreshin kryesisht me blegtori e bënin një jetë shtegtare; vendbanim i përkohshëm i këtyre njerëzve’. Më vonë në gjuhën shqipe kjo fjalë e ndryshoi for­mën fonetike dhe kuptimin katund ‘fshat’, kurse me kuptimin e parë te FGJSSH regjistrohet vetëm si historicizëm.

Letrar te Bogdani letërar kishte dy kuptime: “lexues” e “shkrimtar”. Pastaj mori kuptimin që ka sot, të atij që shkruan vetë, “shkrimtar”.

Mik – në kërkimin gjenealogjik të fjalës mik (nga lat. amicus) shohim që kjo fjalë në zanafillë kishte një kuptim tjetër nga ç`e ka sot. Thelbi i fjalës mik (fr. hôte), sikundër e ka vënë re F. Konica, ishte dikur “ai që ju e ftoni në sofrën tuaj, ose ai që ju fton në sofrën e vet”. Këto kuptime në kohën e sotme janë bjerrë, janë zvetënuar, sepse miku sot rrallëherë ftohet në sofër, rrallëherë i shtrohet sofra. Në traditën vuthjane të Malit të Zi (Ahmeti 1996: 211), ka ekzistuar një kategorizim i mikut, i njohur dhe i pranuar nga të gjithë: Mik kryesor; mik i parë; mik shpije; mik i largët; mik i babës (mik i vjetër); mik pa dhanë e marrë; mik i mikut etj. Prandaj duhet bërë dallimi midis mikut dhe mysafirit që e qet rruga ose halli. Dallimi midis tyre ka konsistuar në faktin se i pari ka qenë në lidhje miqësore (dhënie ose marrje), është i njohur dhe vjen me qëllim. Ndërsa mysafiri mund të jetë ose jo i njohur, por vetë përkufizimi tregon se ai është i rastësishëm, e ka qitur rruga për hallet e veta, që e ka zënë nata në rrugë dhe duhet ta kalojë diku brenda.

2. fig. keq. që është i padëshirueshëm. Në lojën e letrave: kush e ka mikun ? (letrën 14-të).

Mysafir bised. Miku që vjen në shtëpi për vizitë ose për të bujtur (FGJSSH). Rrjedhur nga turq. musafir, arb. musāfir “udhëtar, mik i rastit, mysafir i papritur (që vjen rastësisht, papritur).

Seminar – nga latinishtja seminarium – vend i mbjellë me farë. Sot përdoret për të shënuar: 1. mësimin që zhvillohet në grupe të ndryshme të shkollës së lartë, 2. punim që hartohen nga studentët në një fushë të caktuar, 3. aktivitet shkencor, 4. fet. Shkollë që përgatit priftërinj.

Sorbona – Universiteti më i vjetër në Francë, themeluar që në vitin 1257 nga Robert dë Sorbon. Pakkush e di që emri i këtij universiteti të famshëm lidhet me emrin vetjak Robert dë Sorbon.

Sharlatan Kjo fjalë tashmë ka marrë një kuptim më të gjerë se ai që kishte shekuj më parë, kur tregonte mjekët mashtrues, dhe tregon njerëz të cilët pretendojnë se kanë njohuri të posaçme në një fushë të shkencës, kur në fakt atje janë thjesht amatorë.

Tlina-t – brekët e gjata që i veshin në dimër (Kosovë). Kanë marrë emrin kështu sepse dikur bëheshin prej liri. Sot ato fabrikohen prej materialeve të ndryshme industriale, porse emrin ende e ruajnë të pandryshuar tlina-t.

Universitet – termi universitas emëronte në mesjetën e vonë një “shoqëri mbrojtëse korporative”. Më vonë mori kuptime të tjera si “bashkësi” dhe “shoqëri”. Sot ka kuptimin e një institucioni të lartë shkollor. 

Terminologjia politike 

Ballkan Edhe Ballkani, ai gadishull i njohur historikisht për primitivizëm e grindje ndërmjet popujve përkatës, në epokën e re po ndryshon fytyrë politikisht dhe po integrohet në Evropë jo vetëm me koncepte të reja, por dhe me një emërtim të ri – Evropa Juglindore.

Evropë – Në fjalorin e sotëm modern të gjuhëve, kuptimin e tyre të parë e kanë ndryshuar edhe shumë fjalë dhe nocione të reja gjeografike e politike dhe janë veshur me semantikë të re. Kësisoj, Evropanuk e ka më atë kuptimin që e ka pasur dikur, por shënjon njëbashkësi moderne të shteteve liberale dhe demokratike”.

Politikë – të parët që e përdorën konceptin “politikë” ishin grekët, para afro 2500 vjetësh. Ata banonin në qytete-shtete, ose polise. Fjala “politikë” vjen nga “polis” (qytet) dhe u përdor për të treguar drejtimin e qytetit-shtet dhe të shoqërisë.

Koncepti “politikë” sot përdoret me kuptimin “mënyra se si i marrin vendimet organet shtetërore dhe si vihen në jetë ato; veprimtaria e pushtetit shtetëror të një vendi, që lidhet me qeverisjen e me drejtimin e shtetit; tërësia e çështjeve dhe e ngjarjeve shoqërore e shtetërore, të brendshme e ndërkombë­tare”.

Në shqip ne e përdorim këtë fjalë si në rastin kur flasim për “veprimtarinë që ka në bazë të saj konkurrencën e partive apo individëve për pushtet” (në anglisht: politics), ashtu edhe kur flasim për një “kurs të caktuar veprimi që qeveri, parti, apo organizata të ndryshme përzgjedhin mes disa alternativave të mundshme” (në anglisht: policy).

Këto nuancime të këtij termi në anglisht dhe në shqip i dallon publicisti Eduard Zaloshnja: “Në disa raste, ai madje ka vazhduar ta ndjekë atë politikë (policy) edhe kur i është bërë e qartë se do ta dëmtonte në lojën politike (politics)… Dhe kjo politikë (policy), do t’i kishte shërbyer bajagi mirë qeverisë Berisha edhe në lojën politike (politics). Sepse paratë nga shitja në verë e energjisë së akumuluar në kaskadën e tejngopur të Drinit do të ndihmonin në mbushjen e arkës së boshatisur të shtetit. (Shekulli, 18. 1. 2010). 

Fjalë me kuptime të veçanta që nuk gjenden në gjuhë të tjera 

Në fjalësin e saj, gjuha shqipe ka krijuar disa leksema për nocione të posaçme etnokulturore, që nuk kanë shoqe (gjegjëse) në gjuhët e tjera të familjes indoevropiane, si këto që do t`i sjellim më poshtë.

Besë f. Albanizëm që ka hyrë në shumë gjuhë ballkanike, e cila brenda shqipes shkon me bind e me (Çabej 1976: 62). 

Emra etnikë

Cincar – Sipas studiuesit serb Dushan Popoviç në veprën e tij për Cincarët (cincarë quhen vllehtë nga sllavët si pasardhës të veteranëve të Legjionit V romak nga vllahishtja Cinci “pesë”), përgjigja e pyetjes se ç’kuptohet me emrin Cincar nuk është aq e thjeshtë. “Cincari me prejardhje është ilir ose thrakas, sipas gjuhës është roman, me besim fetar është orto­doks, ndërsa kulturalisht, sidomos në qytete, ndihet grek” (Julian Jano, Voskopojarët e Serbisë dhe Hungarisë/Një kënd­vështrim ndryshe i historisë së Voskopojës, Gazetas “Dita” 4.6.2017).

Toskë/ gegë – emërtimi “toskë” ka shënuar qysh herët pjesën më veriore të shqiptarëve të jugut, ndërsa “gegë” pjesën më jugore të shqiptarëve të veriut. Zgjerimi i emërtimit “toskë” për një territor më të gjerë në jug u krye shkallë-shkallë. Pikërisht, këtu merr rëndësi fakti që në dokumentet mesjetare dalin shumë emra fisesh, por nuk dalin këto të dyja që sot janë kryesore. Duke iu referuar J. G. Hanit, emërtimi “toskë”, në dallim me “gegë”, përdorej për gjithë shqiptarët e Jugut, por kjo vetëm për gegët dhe për fqinjët e tjerë të Shqipërisë së Jugut, sepse në këtë krahinë ky emërtim kishte një kuptim shumë më të ngushtë (Maxhe 2010: 39).

Fjalë ose kuptime fjalësh që nuk pasqyrohen në FGjSSh 

Burrneshë virgjëreshë e përbetuar, e cila merr rolin e burrit në Shqipërinë e Veriut. Kur i vdiste burri në luftë, ose për shkaqe të tjera familjare, kur merrte rolin e të parit për të mbajtur familjen, ajo vishej me tesha të burrave si shenjë se nuk do të martohej. Në Rugovë të Kosovës kanë qenë të njohura burrneshat e tilla. Ky zakon i përbetimit të vajzave (në familjet ku nuk ka pasur fëmijë meshkuj), që edhe për një gjeneratë me tesha të burrave simbolikisht të vazhdojë kultin e shtëpisë dhe familjes, me gjasë i përket trashëgimisë ilire (Vlahović 1984, 152).

Te Fjalori i gjuhës shqipe fjala burrëreshë (burrneshë) shënohet me kuptimin “vajzë a grua trime dhe e zonja” (FGJSH, 2006) (sipas analogjisë me trimëreshë/ trimneshë).

Dylber – homoseksual. Mashkulli që me bukurinë e tij josh meshkujt e tjerë, në kuptimin e sotëm modern gay. Në Kosovë përdoret kryesisht si sinonim për gjakovar-in (Kosovë).

Gjamatore etnogr. vajtore (FGJSH). 2. Në Malësinë e Veriut gratë nuk bëjnë gjëmë, ato e kryejnë vajtimin, prandaj quhen vajtore, por jo gjamatore. Gjëma bëhet vetëm për burrat dhe vetëm nga burrat, pas ceremonisë së vajtimit nga gratë.

Gjëmëtar etnogr. ai që qan me gjëmë të vdekurin (FGJSH). 2. Në Malësinë e Veriut i vdekuri nuk qahet me gjëmë, atij vetëm i bëhet gjëmë pa lot, sepse qarja konsiderohet zhburr­nim.

Kushtrim thirrje për t`u ngritur në luftë ose në gjendje gatishmërie: lëshoi (dha) kushtrimin (Fjalor i gjuhës shqipe 2006, 515).

Në fakt, kushtrimi ka qenë një institucion i Shqipërisë Veriore dhe i shqiptarëve të Malit të Zi, që është manifestuar në këtë mënyrë: Kushtrimi ka qenë thirrje mobilizuese e karakterit ushtarak popullor për t`u shkuar në ndihmë krahi­nave të rrezikuara nga sulmi i armiqve. Zanafilla e kushtrimit kanë qenë zonat kufitare, si p.sh. Krahina e Gucisë dhe e Plavës, duke qenë në kufirin verior të trojeve etnike, sa herë që janë rrezikuar nga të huajt, osmanët, serbët apo malaziasit, ka “qit kushtrimin”. Kushtrimin shkonin “me qitë” dy djem të rinj, pasi në raste të tilla kërkoheshin veprime të shkathëta, të shpejta dhe të përpikta. Vendet prej nga “qitej kushtrimi” për krahinat e tjera kanë qenë të njohura. “Me lajmue Shalën, kushtrimi qitej në Qafë të Pejës, ndërsa me lajmue Malësinë e Gjakovës, Kushtrimi qitej në Qafë të Borit, në Qafë të Vranicës; me lajmue Rugovën e Pejën me nahije kushtrimi qitej në Rugovë”. Kushtrimi qitej duke thirrur: “Oooo, hiq djalë se ka ra shkau, more!” Thirrja gjithmonë shoqërohej me nga pesë të shtëna me pushkë. Kur situata vlerësohej se është tepër serioze, kushtrimi qitej duke thirrur: “Ooo, hiqni burra, prej në shtatë e në shtatëdhjetë, more, se na ka ra shkjau!” Ose “Ooo, mos leni burra, bre se na ka ra shkjau!”. Burrat e krahinave që u drej­tohej kushtrimi, me të shpejtë tuboheshin dhe “math e zdath si kanë qëllue, me pushkë në dorë”, niseshin në drejtim të Mymleqetit të mirë (Plavës dhe Gucisë). Në raste të tilla, në këto krahina hynte në fuqi besa e vatanit, prandaj vullnetarët që niseshin atje ku ai rrezikohej, bashkoheshin vëllazërisht. Të moshuarit tregonin se gjithmonë më të shpejtë kanë qenë dukagjinasit (shaljanët), “çi asni herë s`vinin ma pak se 400 burra”, zbraznin një batare pushke “me lajmue se mrrini Shala në nimë” (Ahmeti 1996: 215).

Tërmet/ kallnor – Arkeologu i madh anglez Artur Evans (1895), i pajisur me njohuri të mirë të gjuhëve sllave dhe të asaj shqipe, gjen mjaft elemente linguistike të trashëgimisë latine të mbartur në gjuhën shqipe, si: origjinën e fjalës tërmet – lat. terrae motus (rrotullimi i tokës), apo festivali i Vitit të Ri latin “kalendar”, i ruajtur në variantin e vjetër gegë “kallnor”.

Linguistja maqedonase A. Saržoska (Saržoska 2000: 7) shprehet se: “Çdo fjalë ka historinë e vet, prandaj mund të thuhet: historia e fjalëve, e me këtë dhe historia e huazimeve, është historia e kulturës materiale dhe shpirtërore të një populli (të cilit i përket)”

BIBLIOGRAFIA

Ahmeti 1996 = Ahmeti, B. Sulejman, Vuthajt e Vuthjanët, Tiranë, 1996.

Çabej 1976 = Çabej, Eqrem, Studime gjuhësore. Rilindja, Prishtinë, 1976.

FGJSH = Fjalort i gjuhës shqipe, ASHSH, Tiranë, 2006.

Filipović 1963 = Filipović, Milenko, Struktura i organizacija srednjovekovnog katuna.- “Simpozijum o srednovekovnom katunu”, održan 24. i 25. Novembra 1961 god., Naučno Društvo SR Bosne i Hercegovine, Posebna izdanja II, Sarajevo 1963.

Gashi 2007 = Gashi, Skënder, Mendime rreth kuptimit të nocionit “Arbanas” në burimet kishtare serbe të shek. 13-16, Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë – Materialet e punimeve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë 16-23 shtator 2007, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Tetovë-Ohër, 2007.

Konica 2001 = Konica, Faik dhe Guilliame Apollinaire, Një miqësi evropiane, Onufri, Tiranë, 2001.

Matvejeviç 2003 = Matvejeviç, Predrag, Libër dore për Mesdheun, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë, 2003.

Riza 1996 = Riza, Selman, Vepra 1, ASHAK, Prishtinë, 1996.

Saržoska 2000 = Aleksandra, Saržoska, Italianizmite vo makedonskiot jazik, Skopje, 2000.

Vlahović 1984 = Vlahović, Petar, Narodi i etničke zajednice sveta, “Vuk Karadžić”, Beograd 1984.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brian Hall Ata e quanin spastrim të vendbanimeve. E quanin…