Flet Fatmir Limaj: Kryesia e Kuvendit të thërras seancë urgjente për ta ratifikuar demarkacionin

16 shkurt 2018 | 13:04

Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, pritet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës shumë shpejt.

Marrëveshjes se 25 gushtit të vitit 2015 do t’i bashkëngjitet një aneks marrëveshje të cilën kohë më parë e ka prezantuar zëvendëskryeministri Fatmir Limaj gjatë vizitës në Mal të Zi.

Tashmë edhe Mali i Zi ka rënë dakord që dy shtetet të nënshkruajnë një aneks marrëveshje ku dy qeveritë zotohen se brenda një periudhe të caktuar do t’i rishikojnë pikat e kontestuara nga pala kosovare.

“Nënshkrimit të kësaj aneks marrëveshje i ka parapri vizita e Limajt ditë më parë në Mal të Zi. Vulën përfundimtare këtij propozimi ia ka dhënë edhe vizita e kryeministrit malazez të mërkurën në Prishtinë. Vet, zv.kryeministri Limaj ka konfirmuar një ditë më parë se çështja e demarkacionit do të përfundoj shpejtë, por pa dhënë shumë detaje. Kryetari Limaj ka qenë i angazhuar që nga muaji tetor për gjetjen e një zgjidhje kreative për çështjen e demarkacionit. Gjatë gjithë kësaj kohe ai ka thënë se do të gjendet një zgjidhje kreative për tejkalimin e marrëveshjes e cila ka bllokuar vendin prej kohësh”, thuhet në njoftimin e Nismës.

Deklarata e plotë e Limajt pas arritjes se marrëveshjes:

Pas një përpjekje dhe angazhimi serioz disa mujor në kërkim të gjetjes se një zgjidhje për marrëveshjen e demarkacionit, e cila do të zhbllokonte rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane, më në fund kemi marrëveshje mes dy shteteve tona.

Tanimë deputetët e Kuvendit të Kosovës, e kanë rastin që pa asnjë dilemë të votojnë marrëveshjen e cila respekton interesat e dy vendeve. Shfrytëzoj rastin të falënderoj Malin e Zi për gatishmërinë e treguar për të gjetur një zgjidhje e cila nuk lenë asnjë dilemë dhe hije në marrëdhëniet mes dy shteteve tona.

Arritja e kësaj marrëveshje do të thellojë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shumanshëm me shtetin fqinjë, Malin e Zi. Ftoj, të gjitha Grupet Parlamentare dhe Kryesinë e Kuvendit që urgjentisht të thërrasin seancën për të ratifikuar marrëveshjen për demarkacion.

Ky veprim i Kuvendit të Kosovës do të ishte dhurata më e mirë që mund t’ia ofrojmë qytetarëve të Kosovës në 10-vjetorin e pavarësisë. Ratifikimi i kësaj marrëveshje përfundimisht i hap rrugë të liberalizimi të vizave dhe konfirmon rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mirëpritur nënshkrimin e…