Foli kundër Putinit, gjobitet ylli rus i rock-ut

16 gusht 2022 | 20:19

Legjenda e rrokut rus Yuri Shevchuk u dënua dhe u gjobit , pasi foli hapur kundër pushtimit të Ukrainës dhe presidentit rus Vladimir Putin gjatë një koncerti.

Një gjykatë në Ufa, Rusia qendrore, e shpalli këngëtarin fajtor për “veprim publik që synonte diskreditimin e apelit ndaj forcave të armatosura ruse” dhe e dënoi atë me një gjobë prej 50,000 rubla (rreth 800 euro), tha zyra e shtypit e autoriteteve gjyqësore.

Më 18 maj, duke iu drejtuar audiencës së tij në Ufa, këngëtari 65-vjeçar përsëriti se “atdheu nuk është të puthësh pas presidentin gjatë gjithë kohës”, sipas videove të postuara në internet.

“Tani ata po vrasin njerëz në Ukrainë, pse? Fëmijët tanë po vdesin në Ukrainë, pse?”,  i tha ai turmës, duke shprehur dhimbjen e tij për “rininë e Ukrainës dhe Rusisë që po vdes për shkak të planeve napoleonike të Cezarit rus”.

Megjithëse Shevchuk u urdhërua të paguante një gjobë, ligji penal rus parashikon vepra të këtij lloji me burgim deri në pesë vjet në rast të përsëritjes së veprës penale dhe rrethanave rënduese.

Këngëtari, i cili sot nuk ishte i pranishëm në gjyqin e tij për shkak të karantinës për shkak të Covid-19, dërgoi një deklaratë me shkrim përmes avokatit të tij Alexander Peredruk, në të cilën nënvizonte se ka qenë gjithmonë kundër luftës, në çdo vend dhe në çdo epokë.

“Të gjitha problemet dhe vështirësitë e natyrës politike midis vendeve dhe popujve duhet të zgjidhen përmes kanaleve diplomatike”, vuri në dukje ai.

Lideri i grupit rok DDT dhe i njohur në ish-BRSS ka denoncuar ndikimin e Putinit ndër vite, madje duke e sfiduar atë në një takim televiziv në vitin 2010.

Ai ishte gjithashtu një nga nxitësit e një lëvizjeje të madhe proteste në Rusi në 2011-2012, e cila u shtyp nga Kremlini.

Përpara epokës së Putinit, Yuriy Shevchuk bëri fushatë kundër luftës së parë çeçene midis 1994 dhe 1996.

Ai e filloi karrierën e tij në vitet 1980, dekada e fundit e BRSS, dhe u bë i njohur falë këngëve të tij anti-establishment në atë perandori të zhytur në krizë. Me shpërbërjen e BRSS në 1991, Shevchuk ishte tashmë një figurë në rock-un rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa fëmijë kosovarë patën një eksperiencë të rrallë jetësore, të…