“Forbes” publikon listën e më të pasurve, 2022 me më pak miliarderë, ndryshon kreu i listës

06 prill 2022 | 08:26

Revista Forbes publikoi renditjen e 36-të vjetore të njerëzve më të pasur në planet. Kësaj radhe në listë janë 2668 miliarder – që është 87 më pak se një vit më parë. Ata kanë një pasuri në vlerë totale prej 12.7 trilion dollarë – po ashtu 400 miliardë më pak se në 2021.

Rënie dramatike ka ndodhur në Rusi, ku ka 34 miliarderë më pak se vitin e kaluar. Por më e thellë rënia është në Kinë, ku qeveria frenoi kompanitë kryesore të teknologjisë, gjë që çoi në 87 miliarderë kinezë më pak në listë.

Megjithatë, Forbes ka gjetur më shumë se 1000 miliarderë që janë bërë më të pasur se një vit më parë. 236 sipërmarrës u bënë miliarderë vitin e kaluar – duke përfshirë miliarderë për herë të parë nga Barbados, Bullgaria, Estonia dhe Uruguai.

SHBA mbetet lider botëror me 735 miliarderë me një pasuri me vlerë 4.7 trilion dollarë. Kina (përfshirë Makaon dhe Hong Kongun) renditet në vendin e dytë, me 607 miliarderë me vlerë pasurie 2.3 trilion dollarë.

CEO i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, e kaloi Jeff Bezos dhe u bë njeriu më i pasur në planet. Për herë të parë, Mask është në krye të listës së miliarderëve botërorë. Që nga 11 marsi, biznesmeni kishte një pasuri rreth 219 miliardë dollarë, pasi pasuria e tij u rrit me 68 miliardë dollarë vitin e kaluar, mes një rritjeje prej 33% në çmimin e aksioneve të Tesla.

Pasuria neto e Mask është 48 miliardë dollarë më shumë se pasuria e Jeff Bezos, i cili ra në vendin e dytë për herë të parë në katër vjet për shkak të një rënie prej 3% të aksioneve të gjigantit të tij të shitjes me pakicë Amazon. Për më tepër, miliarderi vlerësohet se me rritjen e donacioneve për bamirësi, ka fshirë 6 miliardë dollarë nga pasuria e tij neto, e cila tani është 171 miliardë dollarë.

Manjati francez i luksit Bernard Arno zuri vendin e tretë në renditje, me një pasuri të vlerësuar prej 158 miliardë dollarësh. Kreu i LVMH vlerësohet se i shtoi pasurisë së tij 8 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Bill Gates është në vendin e katërt me 118 miliardë, ndërsa Warren Buffett është në vendin e pestë në listën e miliarderëve të Forbes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian do të “përgatisë me urgjencë sanksione të reja…