Gjermania merr vendim të ri ndaj Rusisë

06 prill 2022 | 08:24

Bashkimi Evropian do të “përgatisë me urgjencë sanksione të reja kundër Rusisë”, thotë i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Ai megjithatë nuk bëri të qartë së çfarë sanksionesh janë duke u përgatitur dhe se kur do të merret vendimi për to. “Masakra në qytetin Butsha dhe në të tjera qytete ukrainase do të përfshihen në listën e mizorive të kryera në tokën europiane”, tha Borrell. BE i dënoi ashpër “mizoritë” e pandehura se janë kryer prej forcave të armatosura ruse. “Ne jemi solidar me Ukrainën dhe me popullin ukrainas në këto orë trishtimi”, tha Borrell.

Ai bëri të qartë gjithashtu, se nga këndvështrimi i BE-së, autoritetet ruse janë përgjegjëse për mizoritë e kryera gjatë pushtimit të tyre. Për të nxjerrë përpara drejtësisë nëpunësit përgjegjës qeveritarë dhe ushtarakë, po mbështeten pakufizim hetimet e nisura nga Gjykata Ndërkombëtare Penale si dhe puna e komisionit hetimor të Komisarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, vuri në dukje Borrell. Edhe BE-ja ndihmon Prokurorinë e Përgjithshme ukrainase dhe shoqërinë civile në mbledhjen dhe sigurimin e dëshmive për krime lufte.

Në zonën periferike të Kievit, Butsha pas tërheqjes së trupave të ushtrisë ruse nga ky rajon i kryeqytetit ukrainas janë gjetur qindra kufoma civilësh. Numri i përgjithshëm i të vdekurve nuk është i qartë. Sipas të dhënave të kryebashkiakut të Butshas,  Anatoly Fedoruk, janë varrosur në varr masiv 280 vetë, sepse varrezat janë sulmuar. Prokurorja e Përgjithshme ukrainase Iryna Venediktova bën fjalë për 410 civile të vdekur në rrethin e Kievit.

Gjermania dëbon 40 diplomatë rusë

40 diplomatë rusë duhet të largohen nga Gjermania pasi janë shpallur “persona të padëshiruar”. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock komunikoi, se pjesëtarët e Ambasadës Ruse “kanë punuar çdo ditë këtu në Gjermani kundër lirisë sonë, kundër bashkëpunimit dhe shoqërisë sonë”. Kur diplomatët shpallen persona të padëshiruar, ata duhet të largohen nga vendi.

Puna e diplomatëve rusë është “një kërcënim për ata që kërkojnë të gjejnë mbrojtje tek ne”, deklaroi Baerbock duke argumentuar vendimin. “Këtë ne nuk do ta tolerojmë. Këtë ia kemi komunikuar ambasadorit të Rusisë sot pasdite” (04.04). Ambasadori rus Sergej Netshajev u thirr në Ministrinë e Jashtme nga sekretari i shtetit, Andreas Michaelis dhe u informua për dëbimin e diplomatëve. Personat e prekur kanë kohë pesë ditë për t’u larguar nga Gjermania. Sipas këtyre informacioneve mendohet, se personat në fjalë mund të jenë të lidhur me shërbimet informative ruse.

Lidhur me mizoritë në qytetin ukrainas Butsha, Baerbock tha, se këto imazhe “dëshmojnë për një brutalitet të pabesueshëm të udhëheqjes ruse” dhe të atyre që që ndjekin propogandën e tyre, “për një zell asgjësimi, që tejkalon çdo kufi”. Imazhe të ngjashme druhet se mund të ketë edhe nga shumë zona të tjera, ku trupat ruse e kanë pushtuar Ukrainën. “Kësaj mizorie ne duhet t’i kundërvihemi me forcën e lirisë dhe të demokracisë sonë si dhe me humanizmin tonë”, tha ministrja e Jashtme.

Edhe Franca ka dëbuar një sërë diplomatësh rusë. Ata rrezikojnë sigurinë kombëtare, vuri në dukje Ministria e Jashtme në Paris. “Ky hap është pjesë e një nisme europiane.” /DW

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i bashkisë së qytetit Buça ka thënë për BBC…