Forumi Shqiptar New York: Po punojmë që roli i diasporës të jetë vendimtar në fitoren tonë më 5 mars

14 janar 2023 | 00:27

Forumi Shqiptar ka lëshuar një deklaratë, me të cilën fton malësorët të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Malin e Zi, në veçanti për komunën e Tuzit.

“Diaspora e ka detyrim moral mbështetjen e kombit dhe atdheut, sidomos përgjatë momenteve kritike e aq më tepër kur bëhet thirrje për mobilizim”, shkruan në deklaratë.

Postimi i plotë:

Çdokush që shprehet se diaspora nuk duhet të udhëtojë drejt Malësisë për zgjedhjet e 5 marsit, bazuar në arsyetime nga më të ndryshmet, padyshim është duke punuar kundër interesave të Malësisë, me apo pa vetëdije.
Diaspora duhet të vazhdojë të jetë pjesë e proceseve vendimtare që lidhen me fatin e Malësisë.
5 Marsi është një datë tepër e rëndësishme për të ardhmen e vendlindjes tonë. Si bij e bija të asaj toke, duhet t’i qëndrojmë besnikë interesit të vendlindjes në momentet jetike të saj. Pjesëmarrja masive e diasporës në zgjedhjet lokale në Malësi, cilësohet si akt patriotik për arsyen e thjeshtë se këto zgjedhje do të vendosin nëse Komuna duhet të vazhdojë të drejtohet shqip. Në rast të kundërt, ne do të lëmë fatin tonë në dorë të atyre, që kurrë nuk e mbështetën komunën, por luftuan me çdo mjet për ta penguar realizimin e saj. Këto vota nuk janë për individë të caktuar, por janë vota për ekzistencën e Malësisë.
Diaspora e ka detyrim moral mbështetjen e kombit dhe atdheut, sidomos përgjatë momenteve kritike e aq më tepër kur bëhet thirrje për mobilizim.
Dikur në momente të vështira për kombin shqiptar i madhi Fan Noli do të shkruante: “Mbahu, Nëno, mos kij frikë, se ke djemtë n’Amerikë”.
Jemi gati. Po punojmë çdo ditë që roli i diasporës të jetë vendimtar në fitoren e Forumit Shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Italia po përballet me një deficit të madh uji për…