Frederika Mogerini, Hashim Thaçi dhe biseksualiteti politik i LDK-së!

21 dhjetor 11:02

Behxhet Sh.SHALA – BAJGORA 

Letra e Trampit dhe kultura e leximit: Presidenti Tramp i nisi dy letra në të njëjtën kohë; në adresë të Hashim Thaçit, president i Kosovës dhe në adresë të Aleksandar Vuçiqit, president i Serbisë. Siç po e shihni, lexues të nderuar, është treshja e presidentëve, njëri shkruan, të tjerët lexojnë! E nisi edhe një letër në Shqipëri, jo presidentit Ilir Meta, por kryeministrit Edi Rama. Kjo letër ngjalli reagim, kryesisht pozitiv dhe nënshtrues, ende pa e lexuar, te shumica e subjekteve politike kosovare, si shenjë e miqësisë së përjetshme midis Kosovës dhe Amerikës!

Thënë të drejtën, nëse kam guxim ta them, letra kishte dy argumente bindëse që e rritë lexueshmërinë dhe domosdoshmërinë e besimit, pa pasur nevojë ta lexoni fare; logoja e presidentit amerikan me shqiponjën në të dhe nënshkrimin e presidentit Tramp, në fund të letrës, e theksuar, si nga trashësia e shkronjave ashtu edhe nga ngjyra, e zezë, shumë e theksuar e që ishin argumente të mjaftueshme për ta kuptuar tekstin e letrës, pa pasur nevojë ta lexoni fare. Dhe, pse duhet ta lexoni përmbajtjen kur i keni këto dy argumente që mund të kundërshtohen vetëm nga një budalla, si puna ime! Budallenjtë realë dhe origjinalë janë pakicë absolute, minoritet që nuk trajtohen sipas parimit të diskriminimit pozitiv, kurse budallenjtë funksionalë janë shumicë absolute të cilët i gëzojnë të gjitha përfitimet e mundshme.

E pranoj se jam në grupin e parë dhe se jam i privuar nga të gjitha të drejtat! Nënshkrimi i presidentit Tramp rrezaton me intelektualizëm dhe zgjuarsi andaj nuk mund të refuzohet. Krahasoni nënshkrimin e presidentit Tramp me nënshkrimin e presidentit Thaçi! Nuk krahasohen! I vetmi politikan që për nga inteligjenca dhe zgjuarsia si dhe eleganca intelektuale e nënshkrimit e që mund të matet me presidentin Tramp në Kosovë, është Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër i Parë i Qeverisë së Kosovës dhe ministër për Punë të Jashtme, ndonëse nuk jam shumë i sigurt por, më duket se kam lexuar dhe dëgjuar se është i Kosovës.

I pari që e lavdëroi fort letrën e presidentit Tramp është një president, zotëri Hashim Thaçi që po e mban në kuletë, në vend të kartës së identifikimit. Thonë se kur shkoi në Bruksel, në takim me Frederika Mogerinin, në hyrje, në vend të kartës të akreditimit, sigurimit ia tregoi letrën e presidentit Tramp duke i thënë: “Aj jam president Taçi, likes verij gud president Tramp, infakt, shi is maj frendi, bijkoz aj jam president tu…”. Pasi i krahasuan letrat e dërguara nga presidenti Tramp, Aca dhe Hasha iu gjuajtën pites që e kishte gatuar Popadija Millojka për shkak të festës së Shën Nikollës dhe marrëveshjes për korrigjim të kufijve që qenka afër nënshkrimit, si veja e pulës, buzë daljes emergjente! Edhe Kadria, kryetar i Kuvendit, më duket se ka identitet fetar të myslimanit, pa e lexuar fare letrën e presidentit Tramp e cilësoi si bekim e që këtë cilësim kryesisht e përdorë Papa Françesku dhe të gjithë liderët dhe liderucët kosovarë, që nga përfundimi i luftës!

Shumica e ndajnë mendimin me vlerësimet për letrën e presidentit Tramp e dy të fortëve të Kosovës, të tjerët, pak më të fortë dhe ata të rënë fare e që e përbëjnë shumicën absolute, kurse unë botërisht i deklaruar se i përkasë pakicës së budallenjve realë dhe origjinalë, nuk mendoj se kjo letër është aq e mirë për Kosovën dhe, e pranoj botërisht, nuk jam budalla aq i madh e të them se kjo letër është sikur: “Kërcënimi i Kërshëndellave i Bushit Plak..” ndonëse edhe kjo letër është shkruar në prag të Kërshëndellave. Pra, këto dy letra, që të dyja bartin kërcënime, ajo e Bushit Plak i drejtohej vetëm Serbisë, kurse kjo e presidentit Tramp edhe Kosovës, edhe Serbisë.

Pra, këto dy letra i bënë të njëjta vetëm koha kur janë dërguar, kurse përmbajtja është diametralisht e kundërt! Hashim Thaçi, i guximshëm siç është gjithmonë, tha publikisht: “Jemi shumë të vegjël ta kundërshtojmë letrën e presidentit Tramp…”! Unë jam edhe më i vogël, plesht fare andaj nuk pajtohem me letrën e  presidentit Tramp dhe e them se nuk është aq e mirë për Kosovën dhe shqiptarët meqë nuk e përjashton zgjidhjen e uçkurit të kufijve! Për mua do të ishte shumë i pranueshëm formulimi: “SHBA-ja e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe Serbisë brenda kufijve ekzistues dhe vetëm brenda këtyre kufijve kërkon zgjidhje duke e përjashtuar çdo mundësi të ndryshimit të kufijve. Vetëm me njohje reciproke të dy shteteve mund të krijohen kushte dhe mundësi të arrihet një marrëveshje për korrigjim eventual të kufijve por, me kusht se nuk do të rrezikonte qenien dhe interesat e qytetarëve të Kosovës e sidomos do të kundërshtonte korrigjimin e kufijve sipas vijave etnike…”.

Vetëm ky formulim do të siguronte paqe afatgjatë, normalizim të marrëdhënieve dhe fqinjësi të mirë. Letra e presidentit Tramp e bënë të kundërtën e së dëshiruarës, së paku ashtu e kam lexuar unë, me përgatitje shkollore të mesme dhe kryesisht në gjuhën e Aleksandar Vuçiqit! Nëse del e kundërta e kësaj që e them, për Shën Valentin do t’i dërgojë presidentit Tramp një urim me aq puthje që nuk ia kanë dhuruar të gjitha pornostaret, shërbimet e të cilave i ka paguar avokati i Trampit! Çfarë padrejtësie i bëhet avokatit dhe çfarë privilegji i bëhet Trampit; ju i konsumoni shërbimet, avokati detyrohet të paguaj!

Romeo dhe Xhuljeta, Hashimi dhe Mogerini: Dy histori dashurie, e para e sinqertë dhe idilike, e dyta e interesit dhe politike! E para përfundoi tragjikisht duke e paguar çmimin e dashurisë, e dyta do të përfundojë trupërisht duke e paguar çmimin e dyfytyrësisë! Frederika Mogerinin nuk e do askush në Kosovë përveç Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ganimete Musliu nuk është deklaruar ende! As Hajdar Beqa! Këto deklarata për mua nuk përbëjnë asnjë interes! Jetësisht më intereson deklarimi i deputetit Danush Ademi për Frederika Mogerinin për faktin se është personi më aktiv, më i përgjegjshëm dhe më kompetent në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Integrime Evropiane. Po e pres me padurim deklaratën e Danush Ademit, për Frederika Mogerinin. Frederika Mogerini nuk e do askënd në Kosovë.

As Hashimin e as Kadrinë të cilët i përdorë dhe këtë e bënë me afat të përdorimit, deri në prill të vitit 2019 pas të cilës datë do të krijojë lidhje të reja interesi dhe pse jo edhe sentimentale. Në Serbi, shumë besoj. Një ish mike imja e që është eksperte e integrimeve evropiane në Tanzani , ditë më parë më qortoi duke më thënë se: “Ti, Behxhet dhe Rambo nuk jeni mirë në kokë që po e kundërshtojmë aq shumë Frederikën e Mogerinëve”. Unë e pranove që nuk jam mirë në kokë dhe këtë e mora si rrethanë lehtësuese! Ajo më tha se pikërisht Frederika Mogerini, në një takim me ish miken time na paska lavdëruar  shumë neve, përkatësisht Ramushin dhe mua e që sot aq fuqishëm po e kundërshtojmë. Për Ramushin paska thënë se është muskuloz boj lajk Rambo kurse për mua paska thënë se jam bjutiful gej. E Behxhet he bjutiful! Me demek unë po e përkthej në anglisht se jam bjutiful djalë, djalë i bukur dhe i mirë. Ashtu më duket vetja.

Një shok afër meje më tha se Mogerini të ka krahasuar me Sikin, doajenin e dikurshëm të Prishtinë që e donin të gjithë. E pyeta një prishtinali të vjetër për veprat që i ka bërë Siki e që e bënin aq të dashur dhe të respektuar në Prishtinën e viteve ’70,’80. Pasi ma tregoi historinë e Sikit, e kuptova fjalën gej. Mozomakeq për mua! Hajt baju Frederika Mogerini, ik te Siki, gjendet diku në Serbi.

Në një portal dukej se fare nuk kishte ndryshuar, këndonte plotë hare me flokë që i vizëllonin nga çiçkovo ulje apo vaji i makinave qepëse Bagat kur nuk kishte para të blinte çiçkovo ulje. Anglishtja është gjuhë e çuditshme, nuancat  e përcaktojnë nëse je ai që je apo ai që nuk do të jesh! Një shkronjë e vetme!

Dygjinia apo “burrëreshat” politike të LDK-së: LDK-ja deklarohet si parti institucionaliste dhe parimore. Është një vetdeklarim. Ka qenë pjesë e të gjitha zhvillimeve në Kosovë, të lavdishme dhe të turpshme, varësisht nga këndi i interpretimit dhe interesit. Edhe sot kërkon dhe siguron vota me ndihmën e varreve. Deklarohet se është parimore dhe se parimet i shkelë vetëm për qëllime të larta, si parti shtetndërtuese dhe institucionaliste. Sikur në rastin kur e votoi president Hashim Thaçin për të cilën e ka konsideratën më të lartë e sidomos nëse gjendet në Dyzë apo Hagë. Nëse është në Hagë konsiderata rritet edhe më shumë dhe matet me kohëzgjatjen e qëndrimit në Hagë, si mysafir special i Odave Speciale. LDK-ja e votoi edhe Demarkacionin për shkaqe ekskluzivisht parimore dhe për dobi të institucioneve…të miqve ndërkombëtarë. Jo se i janë bindur kërkesave e lëre më presioneve ndërkombëtare por për shkak të miqësisë!

Edhe tash, LDK-ja i pati dhe i ka dy qëndrime për dialogun, Ekipin Negociator dhe Platformën qeveritare për bisedime. Nuk ka pranuar dhe nuk e pranon presidentin Thaçi për udhëheqës të negociatave sepse Thaçi donë t’i jap territor Serbisë kurse LDK-së nuk i mjafton territori deri te Molla e Kuqe por dëshiron të merr edhe territorin e Pakistanit ku jetojnë hundëzakët e Ademit, me prejardhje shqiptare! Idilën patriotike ia prishi një president, jo Hashim Thaçi por Donald Trampi. Tash, LDK-ja, si parti institucionaliste dhe shtetndërtuese përsëri do t’i shkelë parimet duke kontribuar, si opozitë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, pa u bërë pjesë e Ekipit Negociator, por, për shkak të interesit shtetërorë dhe miqësisë së përjetshme me SHBA-të të cilën e përfaqëson presidenti Tramp, do ta votojë Marrëveshjen Vuçiq-Thaçi sikur që e votuan Hashim Thaçin president dhe Demarkacionin. Unë jashtëzakonisht i respektojë ata që e çmojnë, kultivojnë, mirëmbajnë dhe e forcojnë miqësinë! Sidomos miqësinë që e ka LDK-ja me Amerikën dhe presidentin Tramp dhe e cila është shumë e sinqertë, deri në mbushje të brekëve! Çfarë pafytyrësie dhe ku shihni ju këtu moral dhe parime!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti i njohur amerikan dhe bashkëpunëtori i lartë i Qendrës…