FSHF-ja zbret dy kategori më poshtë Kamzën

06 mars 2019 | 20:19

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur masën ekstreme ndaj skuadrës së Kamzës, me përjashtimin e saj nga kampionati i këtij sezoni për pjesën e mbetur dhe zbritjen deri në Kategorinë e Dytë për të rifilluar sezonin e ardhshëm.

Si rrjedhojë, të 12 ndeshjet e mbetura nga ky sezon për skuadrën e Kamzës do të fitohen në tavolinë me rezultatin 3-0 nga kundërshtarët, sipas kalendarit. Një vendim i marrë ky me arsyetimin e dështimit të përmbushjes së përgjegjësive për organizimin e ndeshjeve, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes.

Ndërkohë që Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes duke e goditur me grusht, dënohet me 36 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik dhe një gjobë prej 100 mijë lekësh. Qarrit do t’i ndalohet gjithashtu hyrja në të gjithë stadiumet e Republikës së Shqipërisë, në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.

Të njëjtën masë ndëshkimore Komisioni i Disiplinës ka marrë për drejtorin teknik, ndërkohë për zyrtarin Albert Bana, për sjellje të gabuar ndaj zyrtarit të ndeshjes dënohet me 18 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik si dhe gjobë në masën 100.000 lek. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet e Republikës së Shqipërisë si dhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.

Kujtojmë dhe një herë që ngjarja e ndodhur fundjavën e shkuar në ndeshjen mes Kamzës dhe Laçit, ku u dhunua nga disa persona arbitri Eldorjan Hanmiti. Ndërkohë edhe Gjykata e Tiranës ditën e mërkurë ka dhënë vendimin e saj me arrest shtëpie për Presidentin e skuadrës së Kamzës, Naim Qarrit, ndërkohë që ka kaluar me detyrim paraqitje të ndaluarit e tjerë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderja e Superligës, Feronikeli arriti të ruan epërsinë prej pesë…