FSK-në nuk e bën ushtri emri, por ndryshimi i misionit

04 tetor 2018 | 14:39

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, është shprehur i bindur se FSK-ja do të arrijë të bëhet ushtri me miratimin e tri projektligjeve të propozuara në Kuvend, që do t’ia ndryshojnë misionin kësaj force. Ai ka deklaruar se FSK-në në ushtri nuk e bën emri, por ndryshimi i misionit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kastrati ka treguar se ndryshimi i misionit i përcakton kësaj force detyrat ushtarake për mbrojtjen e vendit. Ai ka vlerësuar se pas ShBA-së edhe aleatët e tjerë strategjikë do ta përkrahin transformimin e FSK-së në ushtri pa ndryshime kushtetuese.

Ish-komandanti i FSK-së ka hedhur poshtë pretendimet e skeptikëve se transformimi  i FSK-së në ushtri mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese. “Unë ua heq këtë skepticizëm atyre 100 për qind sepse nuk ka lidhje se çfarë emri do të ketë kjo forcë. E rëndësishme është që kësaj force t’i jepet misioni ushtarak. Po e përsëris, misioni i përcakton detyrat e forcës dhe ato detyra do të jenë mbrojtja e kufijve të Kosovës, pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse dhe operacione humanitare të udhëhequra nga NATO-ja, BE-ja dhe OKB-ja, si dhe përkrahja e autoriteteve civile. Në bazë të këtyre detyrave dalin nevojat se cilat pajisje, cili armatim, cili transport i nevojitet kësaj force për t’i kryer këto detyra ushtarake. Se a do të quhet Forca e Sigurisë, Forcë  e Armatosur apo ushtri, kjo nuk është e rëndësishme”, është shprehur Kastrati. Ai ka bërë me dije se kjo mënyrë e transformimit nuk do të sjellë ndonjë pengesë as në rrugën e FSK-së drejt anëtarësimit në NATO.

“Epoka e re”: Z. Kastrati, pas Qeverisë, edhe Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës i ka miratuar tri projektligjet për transformimin e kësaj force?
Kastrati: Personalisht e përshëndes këtë veprim të Qeverisë dhe të komisionit parlamentar. Besoj se kjo është bërë në koordinim me ShBA-në dhe partnerët e tjerë tanë strategjikë, NATO-n dhe BE-në. Edhe më herët ka pasur nisma të tilla që nuk janë realizuar. Këtë herë shpresoj të ecim përpara drejt transformimit të kësaj force në ushtri, e cila është shumë e nevojshme për Kosovën. Me këto projektligje emri FSK do të mbetet, mirëpo asaj do t’i ndërrohet misioni, duke i dhënë mision ushtarak, nga cili do të dalin detyrat ushtarake me armatime të nevojshme për ta mbrojtur territorin e Kosovës dhe për të marrë pjesë në operacione rajonale.

“Epoka e re”: Besoni se është i mjaftueshëm miratimi i këtyre projektligjeve në Kuvend për ta bërë FSK-në ushtri?
Kastrati: Absolutisht projektligji i ri që tashmë është në Kuvendin e Kosovës i jep kompetenca të mjaftueshme kësaj force për t’i arritur synimet e saj. Kësaj force duhet t’i ndryshohet vetëm misioni. Pastaj në bazë të misionit dalin detyrat e saj ushtarake, pajisjet, armatimi dhe të gjitha elementet e tjera që janë të nevojshme për t’u zhvilluar në një forcë ushtarake. Nuk është ndonjë problem se si do ta ketë emrin ushtria e Kosovës. Kryesorja është që misioni i kësaj force të jetë ushtarak dhe nga ai mision dalin detyrat e tjera.

“Epoka e re”: Edhe më herët kemi pasur iniciativa të tilla të cilat janë kundërshtuar pothuajse nga të gjithë partnerët strategjikë. Si i keni parë këto kundërshtime? Kanë qenë të drejta?
Kastrati: Mendoj se qëndrimet e tyre nuk kanë qenë të drejta. Ata këto hezitime i kanë pasur për shkak se mos ky proces po sjell ndonjë pakënaqësi te komuniteti serb. Mirëpo, mendoj fuqishëm se tani edhe bashkësia ndërkombëtare në krye me ShBA-në e ka kuptuar më në fund se Lista Serbe nuk do t’i votojë kurrë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për transformimin e kësaj force në Forca të Armatosura. Për këtë besoj se tashmë janë bindur të gjithë, dhe ne me këtë rrugë kemi mundur të ecim edhe në vitin 2014. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi parë deklaratat e përfaqësuesve të komunitetit serb në Kuvend se ata nuk do ta përkrahin kurrë këtë proces. Tani besoj se e ka kuptuar edhe ShBA-ja këtë dhe ka dhënë mesazhin e qartë, të cilin e solli edhe kryeministri pas kthimit nga ShBA-ja, se për këtë proces e ka marrë bekimin e saj.

“Epoka e re”: Pas kthimit nga Amerika, kryeministri ka sjellë vetëm bekimin e ShBA-së, por ende nuk kemi ndonjë deklarim të aleatëve të tjerë. A mjafton vetëm mbështetja amerikane në këtë proces?
Kastrati: Mendoj se kjo mbështetje mjafton, sepse ShBA-ja është superfuqi, e ka ndikimin edhe autoritetin e duhur. Në këtë mënyrë, jam shumë i bindur se kryeministri dhe institucionet e tjera të Kosovës, duke përfshirë edhe ministrin e FSK-së, kanë biseduar dhe lobuar edhe tek aleatët e tjerë të Kosovës dhe të FSK-së për këtë çështje. Pastaj, ne NATO-n e kemi në Kosovë, madje brenda FSK-së, dhe është e kuptueshme që ata zyrtarë në baza javore apo ditore raportojnë te shtetet e tyre për këtë çështje. Në përgjithësi besoj se shumica e aleatëve tanë nuk do të kundërshtojnë që FSK-ja të ecë tutje drejt ngritjes së kapaciteteve ushtarake. Arsyeja është shumë e thjeshtë: këto shtete janë duke zhvilluar misionin e tyre ushtarak më të gjatë në histori të NATO-s.  Dhe të gjitha këto shtete harxhojnë shumë para të taksapaguesve të tyre për ta mbajtur këtë mision në Kosovë. Në një farë mënyre edhe janë lodhur duke qëndruar në Kosovë dhe jam i bindur se e mirëpresin që Kosova të ngrehë kapacitete ushtarake, në mënyrë që edhe ata të kthehen në shtetet e tyre.

“Epoka e re”: Kemi edhe disa skeptikë të cilët mendojnë se pa ndryshime kushtetuese FSK-ja nuk mund të bëhet ushtri e Kosovës.
Kastrati: Unë ua heq këtë skepticizëm atyre 100 për qind, sepse nuk ka lidhje se çfarë emri do ta ketë kjo forcë. E rëndësishme është që kësaj force t’i jepet misioni ushtarak. Po e përsëris, misioni i përcakton detyrat e forcës dhe ato detyra do të jenë mbrojtja e kufijve të Kosovës, pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse dhe operacione humanitare të udhëhequra nga NATO-ja, BE-ja dhe OKB-ja, si dhe përkrahja e autoriteteve civile. Në bazë të këtyre detyrave dalin nevojat se cilat pajisje, cili armatim, cili transport i nevojitet kësaj force për t’i kryer këto detyra ushtarake. Se a do të quhet Forca e Sigurisë, Forcë  e Armatosur apo ushtri, kjo nuk është e rëndësishme. Qysh në vitin 2014 është dorëzuar në Qeveri pakoja se çfarë armatimi, çfarë pajisje, çfarë mjete transporti dhe të tjera elemente që i duhen kësaj force për ta kryer misionin ushtarak.

“Epoka e re”: Kjo mënyrë e transformimit të FSK-së a mund ta pengojë rrugëtimin e kësaj force drejt integrimit në NATO?
Kastrati: Absolutisht jo. NATO-ja nuk pranon organizata për shkak të emrit, por ajo pranon organizata me mision ushtarak. Kjo mënyrë e transformimit të FSK-së nuk do të sjellë asnjë pengesë që kjo forcë të ecë drejt integrimi në NATO. Në përgjithësi kjo forcë do të trajnohet dhe shkollohet me standardet më të larta të NATO-s. Gjithashtu, do të jetë e armatosur sipas standardeve të NATO-s. Në këtë mënyrë nuk do të kemi asnjë problem të marrim pjesë në operacione paqeruajtëse apo luftarake në kuadër të NATO-s.

“Epoka e re”: Është thënë se brenda dhjetë vjetëve kjo forcë mund t’i arrijë kapacitetet  e plota ushtarake. Besoni se buxheti i Kosovës mund ta përballojë këtë?
Kastrati: Nëse i referohemi edhe deklaratës së ministrit të Financave, Bedri Hamza, për këtë çështje, ai ka treguar se transformimi i FSK-së në forcë ushtarake nuk do ta ngarkojë buxhetin e Kosovës. Plani dinamik i zhvillimit të kësaj force e ka përcaktuar se brenda një afati dhjetëvjeçar mund të arrihen ato kapacitete. Por, unë besoj se kjo mund të bëhet edhe më shpejt. Jam i bindur se edhe brenda një periudhe shtatëvjeçare kjo forcë mund t’i ngrehë kapacitetet e plota operacione. Po ashtu, jam i bindur se ekonomia e Kosovës dhe buxheti i Kosovës mund ta  përballojnë këtë transformim pa asnjë problem.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka sqaruar për incidentet e ndodhura në…