Funksionimi i mirë i qeverisjes lokale, i domosdoshëm për ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) ka organizuar punëtorinë me temën “Ndryshimet në legjislacionin e vetëqeverisjes lokale në Kosovë”. Pjesëmarrës ishin kryesuesit e grupeve të këshilltarëve të kuvendeve komunale në regjionin e Prishtinës (Prishtinë, Glogoc, Podujevë, Lipljan, Fushë-Kosovë, Graçanicë).
Qëllimi i takimit ishte diskutimi në lidhje me ndryshimet në ligjin për vetëqeverisje lokale dhe familjarizimi i anëtarëve të ri me legjislacionin bazë të qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në vitin 2021 ka bërë ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale me anë të cilave synohet të avancohet funksionimi i qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.
Në këtë punëtori u tha se funksionimi i mirë i qeverisjes lokale është i domosdoshëm për ofrimin e shërbimeve efikase dhe efektive për qytetarët dhe në forcimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
“Funksionimi efikas i komunave është parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm, rrjedhimisht institucionet lokale janë kontakti i parë dhe më i afërt ku qytetarët marrin shërbimet e nevojshme për ta”, thanë pjesëmarrësit në këtë punëtori.
Ky takim ishte në kuadër të përkrahjes së Institutit KLGI për komunat dhe institucionet qendrore në hartimin e politikave të reja në fushën e qeverisjes lokale.
Ky takim do të vazhdojë edhe të premten ku do të diskutohet për politikat e reja që janë hartuar në fushën e qeverisjes lokale.
Instituti KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë.
Po ashtu, KLGI nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.



