“GALERIA TE GËRMIA” E SKËNDER SOPIT

15 mars 2024 | 15:43

Shkruan: Adnan Asllani

Gjurmë të tmerrit që kanë përjetuar shqiptarët gjatë luftës së fundit, gjenden edhe në pikturat e Skënder Sopit. Ai pikturat e tij i ka qepur sikur mjeku lëkurën e pacientit, pas një plage të madhe.

Në muajin janar të këtij viti vizitova galerinë e mikut tim Skënder Sopi. “Galeria te Gërmia”, siç quhet zyrtarisht ambienti ku Skënderi ekspozon veprat e tij artistike, ndodhet në të dalë nga Prishtina, rrugës për në Parkun e Gërmisë. Skënderi jeton qe disa dekada në atë vend. Shtëpia e tij është shndërruar në galeri arti dhe frekuentohet nga dashamirë të artit.

Skënderi shquhet për talentin e tij artistik. Pikturat e tij janë të punuara me një mjeshtri të madhe, duke nxjerrë në pah detaje të rëndësishme që i japin fuqi mesazhit që ngërthejnë në vete veprat e tij artistike. Ngjyrat e zymta që përdor janë domethënëse për kohën që prezanton vepra artistike, ndërkaq nëpërmjet ngjyrave të ngrohta, piktori hap shtigjet e shpresës.

Sapo futesh në “Shtëpinë-galeri” fillon “parakalimi” përpara tablove që kanë veshur muret, ku një vend të rëndësishëm zënë veprat që i referohen periudhës së luftës.

Gjatë luftës Skënder Sopi dhe familja së tij u dëbuan nga shtëpia e tyre dhe në të u vendosën forca të armatosura serbe. Në përputhje të plotë me projektin gjenocidit që synonte shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesërishëm të shqiptarëve si grup i veçantë etnik dhe të objekteve dhe veprave artistike që lidhen me identitetin historik dhe kulturor të shqiptarëve, forcat serbe të vendosura në shtëpinë e tij shkatërruan një pjesë veprave të tij, një pjesë e rrëmbyen dhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tyre, ndërkaq pjesën tjetër e dëmtuan. Prandaj në “Shtëpinë-galeri” gjejmë elemente që dëshmojnë për qëllimin gjenocidar të krimeve që Serbia zbatoi gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pas çlirimit të Kosovës, familja Sopi u kthye në shtëpinë e saj, brendia e së cilës ishte shndërruar në gërmadhë orendish shtëpiake dhe veprash artistike të shkatërruara ose të dëmtuara. Nga tërësia e veprave artistike që kishin mbetur në gërmadhën që lanë pas forcat serbe pas tërheqjes nga Kosova, një numër i vogël mundi të restaurohet, ndërsa pjesa më e madhe e veprave ishte “varrosur” përfundimisht.

Përveç dëshmive të qëllimit kriminal të forcave serbe, “plagët” e veprave artistike dëshmojnë edhe për mjetin që është përdorur gjatë kryerjes së krimit: thika!

Parakaloj pranë pikturave të “therura” dhe më bën përshtypje mënyra e restaurimit të një portreti të një shqiptari, të cilin dora serbe e kishte prerë në fyt. Skënder Sopi kishte ndërhyrë si “kirurg” për t’ia “qepur” plagën, që megjithatë “kullon gjak”. Sytë më shkojnë në dysheme, poshtë portretit që e shpëtoi operacioni i Skënder Sopit, për të parë gjurmët e gjakut! Sidoqoftë, brendia e “Shtëpisë-galeri” është vetë gjurmë e të mbijetuarve të gjenocidit…

Kush është Skënder Sopi?

Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi në Prishtinë. Akademinë e Arteve, dega e pikturës, në klasën e profesor Rexhep Ferrit, në vitin 1983.

Magjistraturën me temën “MBIJETESA” e mbrojti në vitin 2001, te profesor Rexhep Ferri. Me të njëjtin titull ishte edhe ekspozita e tij për këtë rast.

Që nga viti 1983 është anëtar i Shoqatës së Artisteve Figurativ.

Mori pjesë në ekspozitën e studentëve për nder të dhjetëvjetorit të Universitetit të Prishtinës, si dhe në shumë ekspozita të tjera kolektive.

Në dhjetor të vitit 2023, hapi galerinë e tij personale me ekspozitën “Retrospektivë”. Galerinë vendosi ta quajë „Galeria te Gërmia“ e cila, si hapësirë, do të shërbejë edhe për komunitetin artistik.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia kufitare në aeroportin e Memmingen-it ka kthyer tre burra…