GAP-i: Projektet komunale ngecin deri në shtatë vjet
Shpërfaqen dhjetëra mangësi dhe sfida që pushteti lokal ka në arritjen e standardeve të dëshiruara, në procesin e investimeve publike, shpenzimeve të buxhetit, alokimit të të hyrave vetanake dhe menaxhimit të pronave publike.
Në këtë drejtim, një nga problemet më të mëdha është pamundësia e komunave për t’i realizuar investimet brenda kohës së paraparë, ku ka projekte komunale që kanë ngecur për shtatë vjet.
Bekim Salihu analist i politikave në Institutin GAP, ka theksuar se nga 25 projekte të audituara për kohëzgjatjen e investimeve në 12 komuna, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se ka projekte që kanë nisur në vitin 2013 dhe të cilat nuk kanë përfunduar deri në fund të vitit 2020.
“Ky problem ndikon keq në ecurinë e menaxhimit dhe shpenzimin e buxhetit. Shkaktarët të cilët e prodhojnë këtë gjendje, janë për disa arsye, mosplanifikimi i duhur i investimeve, mungesa e mjeteve të plota buxhetore, mungesa e mbikëqyrjes serioze dhe rigoroze nga komunat në terren dhe shpronësimi”, ka thënë Salihu.
Këto konkluzione dolën në tryezën gjatë prezantimit të të gjeturave nga raporti “Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave” të publikuar nga Instituti GAP.