Gashi: Besa nuk më ka kontaktuar, Vushtrria dhe Flamurtari po

07 gusht 2018 | 18:25

Futbollisti Egzon Gashi ka mohuar kontaktet me Besën e Pejës, kurse ka konfirmuar kontaktet me Vushtrrinë dhe Flamurtarin.

Sulmuesi Egzon Gashi vazhdon të jetë lojtar i lirë ani pse ofertat nuk i kanë munguar asnjëherë. Sulmuesi pejan të hënën për “Epokën e re” ka bërë me dije se fillimisht ishte i fokusuar për të sqaruar të ardhmen e tij me Vëllaznimin e Gjakovës, kurse tash është duke u stërvitur individualisht për të qenë sa më i përgatitur për edicionin e ri futbollistik.

“Oferta kam pasur edhe në kohën kur isha pjesë e Vëllaznimit, por nuk kam vendosur asgjë derisa u sqarova me këtë skuadër për faktin se e kam ndier obligim moral, sidomos pas rënies në Ligën e Parë. Tash jam duke stërvitur intensivisht vetëm që të jam i gatshëm për skuadrën e re”, ka thënë Gashi, i cili ka folur edhe për dy skuadrat që e kanë kërkuar në këtë afat kalimtar.

“Kontakte kam pasur me skuadrën e Vushtrrisë, por nuk kemi arritur marrëveshje për shkak të largësisë. Kontakte kam pasur edhe me Flamurtarin, por nuk kam arritur marrëveshje për arsye personale. Ende jam lojtar i lirë”, ka shtuar ai.

I pyetur se a ka pasur ofertë nga ish-skuadra e tij, Besa e Pejës, Gashi është përgjigjur: “Jo, deri tash askush nuk më ka kontaktuar nga Besa. Ka edhe disa skuadra që janë të interesuara, por nuk ka asgjë konkrete. Shumë shpejt do të përcaktohem për klubin e ri, por tash për tash më e rëndësishmja është të jam sa më i përgatitur fizikisht”, ka deklaruar Gashi, i cili, përveç Besës dhe Vëllaznimit, në të kaluarën ka djersitur fanellën e Istogut dhe të Feronikelit.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës ka bërë…