Gashi, deputetëve: Ta votojmë buxhetin për vitin 2021
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, në seancën e sotme të Kuvendit u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 dhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ai ka thënë se duke e votuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, deputetët shmangin një krizë të vogël.
Gashi ka thënë se votimi i këtij projektligji dhe marrëveshjeve ndërkombëtare është jetike për qytetarët e Kosovës.
“Është jashtëzakonisht me rëndësi që vendi të ketë buxhet që institucionet të funksionojnë edhe kur Kuvendi të shpërndahet. Sot nuk duhet të shihemi si pozitë dhe opozitë, ne duhet të shihemi si përfaqësues të popullit dhe vetëm kaq. Ne duhet të japim sinjalin e bashkimit dhe se për interesa të vendit jemi të bashkuar dhe të tejkalojmë interesat politike ditore”, është shprehur Gashi.



