Gashi nga Kanadaja fton investitorët të investojnë në minierat e Kosovës

04 mars 2018 | 18:36

Një delegacion i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryesuar nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, janë duke qëndruar për një vizitë në Toronto të Kanadasë për të prezantuar resurset minerare të Kosovës në Konventën më të madhe të minierave në botë, PDAC 2018.

Gashi i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava dhe zyrtarët më të lartë të KPMM-së, në ditën e parë të kësaj konvente kanë mbajtur një prezantim para më shumë se 10 kompanive të mëdha, shumica nga Kanadaja, të cilat kanë shprehur interesimin e tyre për investim në sektorin minerar të Kosovës.

Në fjalimin e tij hyrës, zëvendëskryeministri Gashi, ka theksuar reformën ligjore në fushën e investimeve strategjike që institucionet e Kosovës janë duke e bërë, për të krijuar klimë sa më të favorshme për investitorët e jashtëm.

“Në kemi një ligj të avancuar për investime strategjike, i cili mbron investitorin e jashtëm dhe i tëri është në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Gashi, duke përmendur edhe aplikacionin e parë të një kompanie për t’u kualifikuar si investitor strategjik me një investim prej rreth 130 milionë euro në fushën e energjisë së ripërtërishme.

Po ashtu, Gashi ka theksuar se tregu kosovar, posaçërisht ai i fushës së minierave dhe mineraleve është i hapur për botën. Ai ka thënë se presin me padurim ofertat për investime në këtë fushë.

“Kosova posedon rezervat më të mëdha të linjitit, plumbit dhe zinkut në Evropë. Ju inkurajojmë që të vini të investoni në Kosovë, dhe ju garantojmë se zyra ime, dhe e kolegëve të mi do të jetë gjithmonë e hapur për çfarëdo shqetësimi që mund ta keni. Investimi juaj është i garantuar”, ka thënë Gashi.

Gjatë kësaj seancë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka prezantuar mundësitë për investime në zonat e veçanta të interesi si Vllahi, Gumnishtë, Karaçë, Baks, Bresalc, Zhegovcë e Deve, ndërsa ekspertët e KPMM-së, përkatësisht Azem Rexha, anëtar i bordit të KPMM-së, në hollësi ka treguar për detajet e mundësive të eksploatimit të minierave që gjenden të këto zona të interesit.

Në seancën për Kosovën, të pranishme ishin kompani edhe nga Kina, Bullgaria, Turqia, Shqipëria, Azerbajxhani dhe Republika Demokratike e Kongos.

Në ditët në vazhdim, zëvendëskryeministri Gashi do të ketë takime të nivelit të lartë shtetëror të Ontarios, komunitetin e bizneseve si shqiptar në Kanada, por edhe atë Kanadez të interesuar për mundësi të investimeve në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka prezantuar 39 projekte në samitin e…