Gashi porosit të rinjtë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën që të lobojnë në vendet e tyre

04 dhjetor 17:57

Në ambientet e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, është hapur të martën Konferenca Ndërkombëtare “Modeli i Kombeve të Bashkuara në Kosovë” e organizuar nga Instituti iCHAT – Kosovë dhe “Debate for Peace” nga Izraeli, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin të rinj që vijnë kryesisht nga vende si: Izraeli, Spanja, Greqia, Rumania dhe vende të tjera evropiane.

Në këtë konferencë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se kjo është një ditë jashtëzakonisht e veçantë pasi krijohen kushte për të bashkëbiseduar me të rinjtë e vendeve të ndryshme të pranishëm.

Ministri Gashi ka bërë me dije se Kosova është një vend i vogël por me një potencial shumë të madh rinor duke përfshirë edhe shumë të rinj tanë të cilët merren me aktivitete sportive.

“Kosova ka sportistët më të mirë në botë, ka medalje të artë të Lojërave Olimpike dhe po ashtu ka filma të cilët janë të nominuar për çmimin Oscar”, ka thënë Gashi.

Në fund, ministri iu bëri thirrje të pranishmëve që të lobojnë në shtetet e tyre në mënyrë që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

“Mund të jetë ndoshta koincidencë por ajo që është me rëndësi që një pjesë e madhe e këtyre të rinjve që janë sot mysafir në Kosovë vijnë nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Është një moment i mirë që nga afër t’i shihni zhvillimet që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës edhe pse jo ta krijomë bashkërisht një diplomaci rinore në mënyrë që të loboni edhe në vendet e juaja që edhe shtetet e juaja më në fund ta pranojnë një realitet që ka ndodhur dhe ta njohin shtetin e Kosovës”, ka thënë ministri Gashi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, kanë diskutuar të martën lidhur…